1 Libri i veprave të Tobitit, të birit të Tobielit, të birit të Ananielit, të birit të Aduelit, të birit të Gabaelit, të birit të Rafaelit, të birit të Raguelit, nga barku i Asielit, nga fisi i Neftaliut.
2 Në kohën e Salmanasarit, mbretit të Asirisë, qe humbur në mërgim nga Tisbja, që është në pjesën e djathtë të Kadesit të Neftaliut, në Galilenë e Epërme, përmbi Asor, ku përendon dielli, në anën e majtë të Fogorit.
I. I HUMBURI
3 Unë Tobiti i kaloja ditët e mia duke ecur udhëve të së vërtetës dhe të drejtësisë. U kam dhënë shumë lëmoshë vëllezërve të mi dhe bashkatdhetarëve të mi që kanë qenë të humbur bashkë me mua në robëri në Ninivë, në dheun e asirëve.
4 Kur ende isha në dheun tim, në tokën e Izraelit, e isha ende i ri, mbarë fisi i Neftaliut, i të parëve të mi, u nda nga shtëpia e Davidit, atit tim, e nga Jerusalemi, qyteti i vetëm i zgjedhur nga të gjitha fiset e Izraelit. Atje ishte vendi i caktuar për fli, ishte ndërtuar Tempulli ku banon Hyji. Atje ishte ndërtuar dhe i ishte kushtuar flijimit të të gjitha fiseve të Izraelit për sa të jetë jeta e jetës.
5 Të gjithë vëllezërit e mi e shtëpia e Neftaliut, babait tim, i flijonte viçit, që e ndërtoi Jeroboami, mbreti i Izraelit, në Dan, në malësitë e Galilesë.
6 Shpesh herë unë shkoja vetëm për festa në Jerusalem për ta zbatuar ligjin e përjetshëm të shkruar për mbarë Izraelin. Me vete merrja frytet e para, të parëlindurit dhe të dhjetat e bagëtive të trasha e të imëta dhe qethjen e parë të deleve e i çoja në Jerusalem,
7 ua jepja priftërinjve, bijve të Aronit, për lter. Levitëve që ishin për shërbesë në Jerusalem ua jepja të dhjetën e grurit, të verës, të vajit, të shegave e të pemëve të tjera. Për gjashtë vjet e shndërroja të dhjetën e dytë në para dhe shkoja e i shpenzoja në Jerusalem çdo vit.
8 E dhjeta e tretë, pastaj, ishte për bonjakë, për vejusha dhe për ardhacakë që jetonin bashkë me izraelitët, ua sillja si dhuratë çdo të tretin vit. I hanim ato sipas Ligjit përkatës për to në Ligjin e Moisiut dhe sipas porosisë që ma kishte dhënë Debora, nëna e tim ati, nëna e Ananielit, babait tonë, sepse baba më pat vdekur e më pat lënë bonjak.
9 Kur u rrita e u bëra burrë, mora për grua Anën, vajzë nga fisi ynë, dhe nga ajo më lindi djali, të cilit ia ngjita emrin Tobi.
10 E pasi qeshë humbur në robëri e erdha ndër asiras, si rob arrita në Ninivë. Të gjithë vëllezërit e mi si edhe bashkëkombësit e mi, hanin ushqime paganësh,
11 kurse unë u ruajta e nuk hëngra.
12 E pasi isha me gjithë zemër besnik i Hyjit tim,
13 i Tejetlarti bëri që të gjej hir e pëlqim para Salmanasarit dhe të bleja për të gjithçka kishte nevojë.
14 Shkoja të tregoja në Medi për të deri sa vdiq. Kështu i lashë thasët me dhjetë talenta argjendi, të m’i ruante Gabaeli, vëllai i Gabrisë, në Rages, në krahinën e Medisë.
15 Kur vdiq Salmanasari e zëvendësoi i biri, Senakeribi. Rrugët e Medisë u mbyllën dhe unë nuk munda të shkoja më atje.
16 Në kohën e Salmanasarit u dhashë shumë lëmoshë vëllezërve të mi që ishin të fisit tim.
17 Bukën time e ndaja me të uriturit, petka u jepja të zhveshurve dhe, kur shihja ndokënd të vdekur, të hedhur pas mureve të Ninives që ishte bashkëkombës i im, e varrosja.
18 E, kur mbreti Senakerib e vriste ndokënd, pasi u kthye duke ikur nga Judeja, në ditët e ndëshkimit që e bëri Mbreti i qiellit pasi kishte bërë blasfemi ‑ vrau shumë izraelitë me zemërimin e vet ‑ unë kuformat e tyre i mbështillja e i varrosja. Senakeribi i kërkoi kufomat e nuk i gjeti.
19 Atëherë shkoi dikush nga ninivasit dhe i tregoi mbretit se unë i varrosja. Unë atëherë u fsheha e, kur e mora vesh se mbreti e dinte për mua dhe se më kërkonin për të më vrarë, u tremba dhe ika.
20 Atëherë ma morën të gjithë pasurinë dhe nuk më shpëtoi asgjë që nuk m’u mor për thesarin e mbretit, përveç Ana, gruaja ime dhe Tobia, djali im.
21 Por nuk patën kaluar dyzet ditë, edhe atë e vranë dy bijtë e tij dhe ikën në malet Ararat. Në vend të tij u bë mbret i biri Asarhadoni. Ky e vuri Ahiaharin, djalin e vëllait tim Anaelit, në krye të thesarit të mbretërisë së tij dhe ishte drejtor i përgjithshëm në mbarë krahinën.
22 Atëherë Ahihari ndër‑ mjetësoi për mua dhe unë munda të zbres në Ninivë. Ahihari kishte qenë kuptar i madh, rojës i vulës, qeveritar dhe llogaritar i Sena‑ keribit, mbretit të Asirisë, edhe Asarhadoni ia la po ato funksione. Ishte prej vëllazërisë sime, nipi im.