< 2Tim 4 Tit 2 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Titit(Tit 1)
1

1 Pali, shërbëtori i Hyjit dhe apostulli i Jezu Krishtit për t’i kthyer në fe të zgjedhurit e Hyjit dhe për t’i bërë ta njohin të vërtetën që mëson përshpirtërinë,

2 me shpresë në jetën e pasosur, të cilën e premtoi Hyji – që kurrë nuk gënjen, para kohërave të amshuara

3 dhe, në kohën e caktuar, e dëftoi fjalën e vet me anë të predikimit që m’u besua mua me urdhër të Hyjit, Shëlbuesti tonë:

4 Titit, birit të vërtetë në saje të fesë së përbashkët: Hir dhe paqe prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Shëlbuesit tonë.

5 Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të kryesh çka mbetet për t’u rregulluar dhe të caktosh udhëheqës në çdo qytet sipas porosive që të kam dhënë.

6 Kandidati duhet të jetë i patëmetë, i martuar vetëm një herë, fëmijët t’i ketë besimtarë që nuk përfliten për sjellje të shfrenuar dhe për padëgjesë.

7 Sepse, mbikëqyrësi, si mbarështues i Hyjit, duhet të jetë i patëmetë: jo i vrazhdë, jo idhnak, jo pijanec, jo arrogant, jo lakmues i fitesës së ndytë,

8 por mikpritës, që e do të mirën, i urtë, i drejtë, i shenjtë, zotërues i vetvetes,

9 i thelluar në fjalën e vërtetë të mësimit, që të jetë i zoti të japë zemër në mësimin e shëndoshë dhe t’ua mbushë mendjen kundërshtarëve.

10 Vërtet, ka shumë prej atyre që nuk nënshtrohen, që flasin shumë dhe gënjejnë – sidomos ata që vijën nga rrethprerja.

11 Atyre duhet t’u mbyllet goja, sepse të tillët pështjellojnë familje të tëra duke mësuar çka nuk duhet dhe këtë e bëjnë me qëllim të fitimit të ndytë.

12 Dikush prej tyre, një profet i tyre, tha:

»Kretasi gjithmonë rrenacakë,

egërsira të këqija, barqe përtace!«

13 Kjo dëshmi është e vërtetë. Këndej edhe qortoji me ashpërsi, që ta kenë fenë e shëndoshë

14 dhe të mos i dëgjojnë përrallat e judenjve as urdhrat e njerëzve që e përbuzin të vërtetën.

15 Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër; kurse për të ndytët dhe për ata që nuk besojnë, s’ka gjë të pastër, por i kanë të ndyta mendtë dhe ndërgjegjen.

16 Pohojnë se Hyjin e njohin, por me vepra e mohojnë – janë të ndytë, kryekëcyer dhe të papërshtatshëm për çdo vepër të mirë.



Fjala e Zotit