1 Mblidhuni, bashkohuni,
o popull i padashur,
2 para se të shpërndaheni
e të treteni porsi byku,
para se të vijë mbi ju
hidhërimi i zem’rimit të Zotit,
para se të vijë mbi ju
Dita e furisë së Zotit!
3 Kërkojeni Zotin,
të gjithë ju, të përvuajturit e tokës,
ju që i kryeni urdhërimet e tij!
Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë,
që disi të mund të fshiheni
Ditën e zem’rimit të Zotit!
II. KUNDËR PAGANËVE
Armiku nga perëndimi: filistenjtë
4 Ja, Gaza do të mbesë e shkretë,
Askaloni do të shkretohet,
Azoti në mesditë do të dëbohet,
Akaroni do të çrrënjoset!
5 Të mjerët ju që banoni brezin e detit,
populli i Kretës!
Ja fjala e Zotit kundër jush,
o Kanaan, tokë filistenjsh:
“Ashtu ty unë do të t’rrafshoj
sa që në ty banorë s’do të ketë!”
6 Brezi i detit po do të bëhet,
mriz barinjsh e vathë bagëtish!
7 Brezi i detit do t’i takojë
Tepricës së shtëpisë së Judës:
aty do t’i kenë kullotat,
në mbrëmje do të kthejnë të pushojnë
në shtëpitë e Askalonit,
kur t’i shohë të vijë Zoti Hyji i tyre
e ta përtërijë fatin e tyre.
Armiku nga lindja: Moabi e Amoni
8 “Kam dëgjuar për fyerjen e Moabit,
e për të sharat e Amonit,
kur e fyenë popullin tim
e u lëvduan për kufijtë e tyre!
9 Prandaj, pasha jetën time
‑ thotë Zoti i Ushtrive,
Hyji i Izraelit ‑
Moabi Sodomë do të bëhet,
bijtë e Amonit si Gomorra
pronë hallugash, grumbuj kripe,
shkretëtirë për jetë e mot!
Pre do t’i bëjë Teprica e popullit tim,
do t’i pronësojë Teprica e popullit tim!
10 Ky do të jetë çmimi i krenarisë së tyre,
sepse shanë edhe u krenuan
kundër popullit të Zotit të Ushtrive.
11 I tmerrshëm do të jetë Zoti kundër tyre,
kur t’i zhdukë të gjitha hyjnitë e tokës,
do të përkulen para tij,
secili në vendin e vet,
ishujt e të gjitha kombeve!”
Armiku i jugut: Etiopia
12 “Po edhe ju, o etiopas,
do të priteni prej shpatës sime!”
Armiku i veriut: Asyri
13 Kundër veriut do ta ngrejë dorën,
Asyrinë do ta shfarosë,
shkretëtirë do ta bëjë Ninivën,
vend të thatë porsi shkretëtirë.
14 Mes saj do të mrizojnë grigjat,
gjithfarë lloji kafshësh të gjalla.
Pelikan e kukuvajkë
do të pushojnë në kapitele të saj,
në dritare do të buçasë huti,
në prag të derës do të krokasë korbi,
trau i cedrit pse i ra!
15 Ky është qyteti gazmues,
që jetonte në siguri,
që thoshte në zemrën e vet:
‘Unë jam! Përveç meje tjetër s’ka!’
Po si kështu u bë shkretëtirë,
strofull bishash?!
Përbri tij kushdo kalon
i fërshëllen e i bën me dorë!