1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar Sofonisë, birit të Kusit, birit të Godolisë, birit të Amarisë, birit të Ezekisë, në ditët e Jozisë, birit të Amonit, mbretit të Judës.
I. DITA E ZOTIT NË JUDE
Ngjarje kozmike
2 “Gjë pa shqimur nuk do të lë
përmbi faqen e dheut ‑
thotë Zoti.
3 Do të shfarosë njeri e kafshë,
do t’i zhduk shpendët e qiellit
e peshqit e detit,
do t’i shkallmoj të patenzonët
farën njerëzve do t’ua tres mbi tokë,
‑ thotë Zoti.
Kundër nderimit të hyjnive të huaja
4 Kundër Judës do ta ngre dorën
e mbi të gjithë banorët e Jerusalemit,
do t’i zhduk nga vendi tepricat e Baalit,
emrin e rojtarëve e të priftërinjve të tij
5 edhe ata që mbi pullaze adhurojnë
ushtritë qiellore,
ata që adhurojnë e në Zotin përbetohen,
por që përbehen edhe në Melkolmin,
6 ata që s’e ndjekin Zotin,
që me Zotin nuk këshillohen
e që atë nuk e kërkojnë.
7 Heshtni para Zotit Hyj,
sepse është afër Dita e Zotit!
Gati e bëri Zoti një therore
e i shenjtëroi të grishurit e vet!
Kundër të mëdhenjve të oborrit
mbretëror
8 Do të ndodhë Ditën e flijimit të Zotit:
Do t’i ndëshkoj princat,
bijtë e mbretërve
e të gjithë ata që vishen
me petka të huajsh,
9 do t’i ndëshkoj të gjithë ata
që me krenari e kapërcejnë pragun,
që e mbushin shtëpinë e zotërisë së vet
me fajësi e me dredhi.
Kundër tregtarëve të Jerusalemit
10 Po atë ditë ‑ është fjala e Zotit ‑
do të shpërthejë klithma nga Dera e Peshkut
edhe britma nga Qyteti i Ri
e nga Kodrat një poterë e madhe!
11 Ulëritni, banorët e Shterës,
se sharroi mbarë populli i Kanaanit,
mbaruan me argjend të ngarkuarit!
Kundër atyre që nuk besojnë
12 Po atë ditë
me kandil do ta kërkoj Jerusalemin
e do t’i ndëshkoj njerëzit
që shtrihen mbi draun e vet
e u thotë mendja:
‘Zotynë nuk është në gjendje
të bëjë mirë as të bëj keq!’
13 Pasuria do t’u rrëmbehet,
shtëpitë e tyre do të rrënohen.
Ata shtëpi do të ndërtojnë,
porse në to nuk do të banojnë,
ata vreshta do të mbëltojnë,
porse verën s’do t’ua pinë!
Dita e Zotit
14 U afrua Dita e madhe e Zotit,
afër është, me hapa të shpejtë po vjen!
I hidhur është zëri i Ditës së Zotit:
në të i forti ngushtë do të jetë!
15 Ditë hidhërimi ajo ditë,
ditë travaji e ngushtice!
Ditë shkretimi e shkatërrimi,
ditë errësire edhe terri!
Ditë mjegulle e thellimi!
16 Ditë borie e kushtrimi,
kundër qyteteve qyteza,
kundër pirgjeve të larta në kënde!
17 Në ngushticë të madhe do t’i vërë njerëzit,
do të ecin si të ishin të verbër
kundër Zotit pse mëkatuan!
Gjaku i tyre do të derdhet si pluhur,
porsi plehu rropullitë e tyre!
18 Nuk do të mundet t’i shpëtojë
ari as argjendi i tyre.
Ditën e zem’rimit të Zotit
me zjarrin e zellit të tij
do të shkatërrohet toka mbarë.
Me nxitim do t’i shfarosë
të gjithë ata që e banojnë tokën!