1 të dashur prej Hyjit e prej njerëzve, Moisiun, kujtimi i të cilit është në bekim.
2 I dhuroi lavdinë sikurse edhe shenjtërve,
e bëri të madhërishëm, tmerr për armiqtë.
Në fjalët e tija i shpejtoi mrekullitë.
3 E bëri të lavdishëm në sytë e mbretërve,
i dha urdhërimet për popullin e vet
dhe ia dëftoi lavdinë e vet.
4 Në saje të besnikërisë dhe të butësisë së tij,
e shenjtëroi dhe e zgjodhi në mes të gjithë njerëzve.
5 Ia mundësoi ta dëgjojë zërin e tij
dhe e futi në re;
6 personalisht ia dha urdhërimet,
Ligjin e jetës e të dijes,
për t’ia mësuar Jakobit Besëlidhjen e vet
e Izraelit urdhrat e vet.
7 Ai e ngriti Aronin, e shenjtëroi porsi atë,
që ishte vëllai i tij nga fisi i Levit.
8 Lidhi me të një Besëlidhje të amshueshme
dhe ia dhuroi priftërinë e popullit,
e bëri të lum me lavdi,
9 e ngjeshi me brez të lavdishëm
e veshi me petk stolie të përsosur,
e kurorëzoi me shenja fuqie:
10 të linjtat, linjën e shpinorin ia veshi,
rreth e rreth i vuri zile tingëlluese ari,
gjithkund përreth me shega të shumta,
11 që të tingëllojnë ndërsa ai të ecë
e të ndihet tingëllima në Tempull
për t’i përkujtuar bijtë e popullit të vet.
12 E stolisi me një petk të shenjtë, ari,
vjollcë e purpurt, mjeshtrisht të qëndisur,
me parzmoren e gjyqit edhe brezin,
13 pëlhure liri të kuq bojëgjake mjeshtërisht të punuar,
me vjerrësin me gurë të paçmueshëm,
të rrethuar në ar, me mjeshtri të gdhendësit të gurit,
në përkujtim me germa të zgavrruara
sipas numrit të fiseve të Izraelit.
14 Kezën ari përmbi kësulën e tij,
të stolisur me pllaka – vula të shenjtërisë,
stoli nderi, vepër mjeshtrie të pashoqe,
kënaqësi e vërtetë për shikim, bukuri e përsosur.
15 Kaq të bukura para tij nuk qenë askurrë,
16 askurrë një i huaj të tilla s’do t’i veshë,
por vetëm bijtë e tij
dhe nipat e tij brez pas brezi.
17 Flia e tij digjet krejtësisht me zjarr
dy herë në ditë, vazhdimisht.
18 Moisiu atë e shuguroi
dhe e leu me vaj të shenjtë.
19 Kjo qe për të Besëlidhje e përhershme
e për farën e tij deri sa të jetë qielli:
të kryesojë shërbesën e të ushtrojë priftërinë
dhe ta bekojë popullin e vet në emër të Zotit.
20 E zgjodhi në mes të gjithë të gjallëve
t’i kushtojë Hyjit fli, kem e dhjamë,
t’i përftojë erë të këndshme si përkujtim
dhe të kryejë shpërblim për popullin e vet.
21 Ia besoi urdhërimet e veta,
pushtetin mbi përcaktimet e Ligjit:
t’ia mësojë Jakobit urdhëresat e tija
e ta ndriçojë Izraelin në Ligjin e tij.
22 Kundër tij u ngritën disa jo të barkut të tij
dhe këta njerëz nga smira e rrethuan në shkretëtirë,
njerëzit e Datanit, e të Abiramit
dhe turma e Koreut, të zemëruar plot hidhërim,
23 Pa Zoti Hyj dhe nuk i pëlqeu
dhe u zhdukën në sulmin e zemërimit të tij.
24 Bëri një emnesë mbi ta
dhe i zhduku me flakën e zjarrit.
25 E ia shtoi nderin Aronit,
i dhuroi trashëgim,
për të i ndau frytet e para të tokës.
26 Më së pari bukë i dha me mbushulli,
madje i hanë edhe flitë e Zotit, ato që Ai ia dhuroi atij e farës së tij.
27 Megjithatë në tokën e popullit pronë nuk ka dhe ai pjesë nuk ka në popull:
sepse Zoti është pjesa dhe trashëgimi i tij.
28 Fineesi, djali i Eleazarit, është i treti për lavdi,
për zellin e tij ndaj frikës së Zotit,
29 sepse qëndroi si burrat kur populli u çua kundër,
ndërhyri me guxim e trimëri
e kështu e pajtoi Izraelin me Hyjin.
30 Kështu edhe u bë me të një Besëlidhje paqeje,
që të jetë prijësi i shenjtërores e i popullit të vet,
që t’i takojë atij dhe farës së tij,
denjësia e priftërisë për amshim.
31 Bëri Besëlidhje edhe me mbretin David,
të birin e Jeseut, nga fisi i Judës,
por trashëgimi mbretëror nga babai
i takon vetëm njërit djalë,
kurse trashëgimi i Aronit u takon
të gjithë pasardhësve të tij.
Zoti e ndikoftë në zemrën tuaj urtinë
që ta gjykoni popullin e tij me drejtësi,
që të mos humbin të mirat e të parëve
e nderi i tyre të vazhdojë në brezni të amshueshme.