1 Lavdi etërve.
T’u këndojmë lavde burrave të përmendur,
të parëve tanë sipas breznive të tyre.
2 Shumë lavdi i Lumi ka përftuar,
madhëria e tij është prej amshimit.
3 Disa ishin zotërues në mbretëritë e veta,
njerëz të përmendur përnga fuqia e tyre,
të tjerët ishin të pajisur me urti,
prapë disa lajmërues profecish.
4 Disa të tjerë e udhëzonin popullin me këshilla,
njerëz të aftë me urtinë e popullit,
me mësime të urta të dijes së tyre.
5 Disa të tjerë nxirrni melodi këndimi,
prapë disa ishin poetë.
6 Ishin të tjerë të pasur e të zotët,
plot kujdes për bukurinë
e jetonin të qetë në shtëpitë e veta.
7 Të gjithë këta qenë të përmendur në kohën e vet
edhe ishin mburrja e ditëve të veta.
8 Prej tyre disa lanë zërin e mirë
që ende përmendet me lavde.
9 Disa të tjerëve kujtimi s’u mbeti,
u harruan sikur të mos kishin qenë,
kanë lindur sikur të mos kishin lindur,
po ashtu edhe bijtë e tyre pas tyre.
10 Por këta ishin njerëz të përshpirtshëm,
veprat e mira të tyre nuk ranë në harresë.
11 Në pasardhësit e tyre mbeti trashëgim i pasur,
nipat e tyre,
12 trashëgimtarët e tyre besnikë të Besëlidhjes,
13 në saje të të parëve edhe bijtë e tyre.
Fara e tyre mbetet për amshim,
nderi i tyre kurrë nuk do të harrohet.
14 Kufomat e tyre pushojnë në paqe
dhe emri i tyre jeton brezni më brezni;
15 urtinë e tyre e shpallin popujt
e lavdinë e tyre e kumton bashkësia.
16 Henoku i pëlqeu Hyjit dhe qe rrëmbyer në parajsë,
për t’u dhënë paganëve mundësinë e kthimit.
17 Noehi ishte njeri i drejtë e i përsosur
dhe në kohën e hidhërimit u bë përtëritje,
18 nëpër të u shpëtua teprica mbi tokë
kur qe bërë përmbytja.
19 Me të u bë Besëlidhja e amshueshme
se s’do të sosej më me përmbytje çdo gjallesë.
20 Abrahami, baba i lavdishëm i shumë popujve,
në nderin e tij nuk u gjet e metë.
Ai e ruajti Ligjin e të Tejetlartit,
dhe bëri me të Besëlidhje.
21 Besëlidhjen ai e përforcoi në trup të vet
e në provë u gjet besnik.
22 Kështu edhe Hyji me përbetim iu zotua
se në pasardhësinë e tij do të bekohen popujt,
se do ta shtojë porsi pluhurin e dheut,
23 se do t’ia ngrejë pasardhësinë si yjet e qiellit,
se do ta trashëgojë tokën prej detit në det,
nga Lumi deri në skajin e tokës.
24 Po ashtu edhe Izakut iu zotua,
në saje të Abrahamit, babait të tij.
25 Zoti ia dha bekimin e të gjithë popujve
dhe e përforcoi Besëlidhjen mbi kokë të Jakobit.
26 E përforcoi në bekimet e veta,
atij ia dhuroi vendin për pronë
dhe ua ndau në pjesë dymbëdhjetë fiseve.
27 Prej tij bëri të dalë një njeri i mirë,
që e çmoi mbarë njerëzia,