1 Madhështia e lartësive – kupa qiellore e kthjellët,
bukuria qiellore në pamje lavdie!
2 Dielli ndërsa len shpall duke lindur:
“Ç’gjë e mrekullueshme është vepra e të Tejetlartit”!
3 Në mesditë tokën e përvëlon,
kush mund t’i bëjë ballë vapës së tij?!
Furrën për ta ndezur trefish duhet fryrë,
4 kurse dielli djeg malet, avull të flaktë buçet,
me rrezet e veta sytë i verbon.
5 I madh është Zoti që e përftoi
dhe që i urdhëron hapat t’i shpejtojë.
6 Po ashtu edhe hëna s’e shmang kohën e vet,
e tregon kohën, shenjë e përhershme.
7 Hëna të kremtet i tregon,
dritëdhënëse që zvogëlohet deri në zhdukje.
8 Nga ajo muaji emrin e merr,
duke u rritur mrekullisht për t’u zhdukur.
9 Flamur i ushtrive qiellore,
që shndrit një bukuri në kupën qiellore.
10 Vezullimi i yjeve bukuria e qiellit,
stoli e shkëlqyeshme në lartësitë e Zotit.
11 Në fjalën e Shenjtit qëndrojnë sipas urdhrit
dhe kurrë s’i shmangen rojës së tij.
12 Shiko ylberin e beko atë që e krijoi,
është pa masë i bukur në shkëlqimin e tij.
13 E rrethon qiellin me harkun e vet,
duart e të Tejetlartit e ngritën atë!
14 Në urdhrin e Tij bora bie,
i shpejton vetëtimat zbatuese të gjyqit të vet.
15 I hap visaret e veta
e retë fluturojnë si shpendët.
16 Me fuqinë e vet i dend retë
dhe grimcohen kokrrat e breshrit.
Zëri i bubullimës së Tij tokën e dridh,
17 përpara Tij tunden malet.
Ai urdhëron e fryn era e jugut,
18 stuhia e veriut dhe vrulli i erërave.
19 Bën të bjerë dëbora si zogjtë kur ulen,
rënia e saj është sikur ulen karkalecat:
20 syri mrekullohet në bukurinë e bardhësisë së saj,
reshja e saj mallëngjen shpirtin.
21 Porsi kripë mbi tokë e derdh brymën,
që, kur ngrihet, bëhet si majë ferre.
22 Kur fryn veriu i cemtë,
atëherë akull ngrihet uji,
pushon mbi çdo ujë të amullt:
atëherë uji me pancir veshet.
23 I përpin malet e i djeg shkretëtirat,
djeg gjelbërimin porsi zjarri.
24 Porse retë shpejt gjithçka shërojnë,
bie vesa e freskon nga të nxehtit.
25 Me mendjen e vet e qetëson humnerën
dhe nëpër të i mbjell ishujt.
26 Kush lundron deteve i tregon rreziqet e tija,
duke i dëgjuar me veshët tanë, çuditemi.
27 Edhe atje ka gjëra të çuditshme e të mrekullueshme,
kafshë gjinish të ndryshme e përbindësh deti.
28 Në saje të tij lajmëtari mbarë udhëton,
gjithçka zbatohet sipas urdhrit të tij.
29 Sado të shtonim, mangut do ta linim,
me një fjalë të vetme: “Ai është gjithçka!”
30 Ku ta gjejmë forcën Atë ta lavdërojmë?
Sepse Ai është i Madhi, mbi të gjitha veprat e veta!
31 I tmerrshëm është Hyji, pa masë i Madh,
e mrekullueshme është Gjithpushtetësia e tij!
32 Lavdërojeni Zotin lart e më lart,
gjithë sa të keni fuqi,
gjithnjë do të jetë më i madhërishëm,
më e mrekullueshme madhëria e tij!
33
34 Për ta lavdëruar jepini me gjithë fuqi:
mos meni se kurrë s’do t’ia dilni në skaj.
35 Kush e ka parë që ta përshkruajë?
Kush mund ta madhërojë ashtu si Ai është?
36 Shumë ka fshehtësi më të mëdha se këto,
sepse ne pamë vetëm disa
prej veprave të tija.
37 Të gjitha janë të krijuara prej Zotit
që njerëzve të përshpirtshëm u ka dhuruar urtinë.