< Sir 41 Sir 43 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 42)
42

1 Të vijë turp të shpërhapësh çka ke dëgjuar
e të zbulosh lajmet e fshehta.
Atëherë me të vërtetë do të jesh i turpshëm
e do të gjesh hir para të gjithë njerëzve.
Por për këto gjëra ruaj se të vjen turp,
mos mëkato për shkak të turpit të shekullit:

2 mos të vijë turp për Ligjin e të Tejetlartit e të Besëlidhjes,
për vendim gjykatës që i jep të drejtën edhe të paudhit,

3 për llogari të pastër me shokë e me bashkudhëtarë,
të ndash trashëgimin me të tjerë,

4 për peshore e pesha të sakta,
për fitesë të shumë ose të pak gjërave,

5 për çmim të blerjes me tregtarë,
për qortim të shpeshtë të fëmijëve,
për përgjakje të ijeve të skllavit përtac.

6 Kur gruaja është kureshtare,
e mirë është vula.

7 Ku ka duar shumë, vëri çelësin,
e, çkado që të japësh, numëroje e peshoje:
të dhënat e të marrat shënoji.

8 Mos të vijë turp ta qortosh të pamendin e të marrin
edhe plakun që e ka lënë mendja pas fëlligështisë.
Kështu do të jesh vërtet i edukuar
dhe i miratuar prej të gjithë të gjallëve.

9 Vajza për babain është shkak pagjumësie,
kujdesi i saj gjumin ia humb:
sa është e re a do t’i dalë fati,
e kur e marton, a mos do ta përbuzë burri,

10 a mos i çnderohet në vajzërinë e saj
e i mbetet shtatzënë në shtëpinë e babait;
po edhe në shtëpinë e burrit të mos bëhet lavire,
po edhe me burrë të mos mbetë beronjë.

11 Nëse e ka vajzën të padëgjueshme,
shtoje rojën që të mos të bëjë përqeshje të armiqve,
përrallë të qytetit e përbuzje të popullit
e të të bëjë të humbasësh nderin para të gjithëve.

12 Mos t’ia qesë në treg gjithkujt bukurinë e vet vajza jote
dhe të mos rrijë shpesh për të biseduar me gra,

13 sepse nga petku del tenja
e nga gratë e keqja e gruas.

14 Më mirë e keqja e burrit
se mirësia e gruas:
prej gruas rrjedh turpi e çnderimi.

15 Tanipo i përkujtoj veprat e Zotit
e do të tregoj çka vetë kam parë:
me Fjalën e vet Zoti i ka krijuar veprat e veta
dhe mbarë krijesa i nënshtrohet gjyqit të tij.

16 Dielli me dritën e vet ndriçon gjithçka
dhe me lavdinë e Zotit plot është vepra e tij.

17 Shenjtërit e Zotit nuk janë në gjendje
t’i tregojnë të gjitha mrekullitë e tija.
Zoti u ka dhënë fuqi ushtrive të veta
të qëndrojnë përpara lavdisë së tij.

18 Ai e shqyrton humnerën e zemrën e njerëzve
dhe depërton në synimet e tyre të fshehta.

19 Sepse Zoti njeh çdo dije,
i vëren hollë të gjitha shenjat e kohës,
lajmëron ç’kaloi e gjithçka do të ndodhë
dhe i zbulon gjurmët e gjërave të fshehura.

20 S’ka mendim që Atij mund t’i ikë,
asnjë fjalë prej Tij nuk mund të fshihet.

21 Rregulluar i ka veprat e madhërishme të vetat,
është i Vetmi para shekujsh, e në amshim;
asgjë s’mund t’i shtohet

22 as s’mund t’i mungohet,
asnjë nevoje nuk ka për asnjëlloj këshille.

23 Oh, sa të dëshirueshme janë veprat e tija!
E është vetëm sa një shkëndijë çka shihet!

24 Gjithçka jeton e qëndron në amshim
e në çdo nevojë të gjitha E dëgjojnë.

25 Të gjitha janë nga dy: njëra kundrejt tjetrës,
asgjë nuk ka krijuar të gjymtë.

26 Njëra e përforcon të mirën e tjetrës.
Kush mund të ngihet me shikimin e lavdisë së tij?



Fjala e Zotit