1 Nderoje mjekun siç i takon,
sepse edhe atë e ka krijuar i Tejetlarti.
2 Prej të Tejetlartit ai e ka dijen
edhe prej mbretit ai merr dhurata.
3 Dija e mjekut ia lartëson kokën
dhe lavdërohet para të mëdhenjve.
4 I Tejetlarti nga toka i krijoi ilaçet
e njeriu i mençur nuk i ka inat.
5 A nuk u ëmbëlsua nga druri uji i hidhur,
6 që njerëzit ta pranonin fuqinë shëruese të saj?
Vet i Tejetlarti u dha dije njerëzve
që të lavdërohej me mrekullitë e veta.
7 Me to bëhen shërime e zbuten dhimbjet,
barnatari bën përzirje barnash
e kështu s’ka mbarim për veprat e tija:
8 kështu hapet shëndeti mbi fytyrën e tokës.
9 Bir, në sëmundjen tënde mos ji i prishur,
por lutju Zotit e ai do të shërojë.
10 Largohu së keqes, pastër ruaji duart,
nga çdo mëkat pastroje zemrën tënde.
11 Kushto fli të erëndshme, kusht ende
dhe dhuratë të majme sipas pasurisë sate.
Por jepi vend edhe mjekut,
12 sepse edhe atë Zoti e krijoi,
mos lejo të të largohet,
sepse edhe vepra e tij është e domosdoshme.
13 Ka raste kur shërimi është në dorën e tyre.
14 Po, edhe ata i luten Zotit
që t’i drejtojë në njohjen e vërtetë
e ta shpejtojë shërimin.
15 Kush mëkaton para Krijuesit të vet,
rëntë në duar të mjekut!
16 Bir, derdh lot mbi të vdekurin
dhe, si ai që pëson shumë, nise gjëmën,
varrosja trupin sipas zakonit të vendit
dhe mos ia moho nderimet e varrimit.
17 Hidhur qaj e thekshëm vajto
18 dhe mbaja zinë sipas meritës së tij,
një ditë ose dy për shkak të fjalëve të shekullit
e pastaj ngushëllohu nga trishtimi yt.
19 Sepse nga trishtimi vrapon vdekja,
trishtimi i zemrës zbut fuqitë.
20 Në tërheqje në vete qëndron trishtimi
e jeta në skamje mallkimi i zemrës.
21 Mos e lësho zemrën tënde në trishtim,
por dëboje trishtimin e mendoje mbarimin tënd.
22 Dhe mos harro: ai më nuk kthehet,
atij gjë s’i ndihmon, e veten e dëmton.
23 Mendo fatin e tij që do të jetë edhe yti:
dje për mua, sot për ty!
24 Kur i ndjeri pushon, le të pushojë edhe kujtimi i tij,
dhe ngushëllohu kur t’i ketë dalë shpirti.
25 Dija e skribit vjen nga koha e tij,
kush është i lirë nga puna, mbushet me dije.
Ç’dije mund të fitojë
26 ai që mban parmendën,
që të tërë nderin e ka në thumbin e hostenit?
Nget qetë e merret me punën rreth tyre
e i takon të flasë vetëm për viça.
27 Mendjen e ka të zënë për të bërë hulli
e rri zgjuar për të ushqyer mëzetërit.
28 Po kështu edhe punëtorët e mjeshtrat,
që u kalon nata si dita:
ata që gdhendin gdhendje për vula
dhe kujdesi më i madh për të ndryshuar figurat:
vrasin mendjen për të punuar mirë vizatimin
e rrinë zgjuar për të kryer punën.
29 Kështu edhe farkëtari qëndron përbri kullës
dhe tërë kujdesin e ka për të punuar hekurin;
avulli i zjarrit ia djeg mishin
e ai mundohet afër furrës së ngrohtë.
30 Krisma e çekanit ia shurdhon veshët
e sytë i mban të ngulur në gjedhen e veglës.
31 Kujdesi më i madh i tij është ta kryejë punën
e rri zgjuar për ta bërë sa më të përsosur.
32 Kështu edhe vorbëtari ndenjur në punën e vet,
sjell me këmbë të veta rrotën,
gjithmonë i vëmendshëm për të kryer punën,
i gjithë veprimi i tij qëndron në numër;
33 me dorë i duhet ta përziejë baltën
e para thinjave i mbaron fuqia:
34 gjithë kujdesin e përdor për t’i lustruar
e nata i kalon duke e pastruar furrën.
35 Të gjithë këta shpresën e vet e kanë në duar
e secili është i mësuar në mjeshtrinë e vet.
36 Pa ta s’do të ishte e mundur të ndërtohet asnjë qytet,
37 njerëzit s’do të kishin ku të banojnë as të shëtisin.
Megjithëkëtë as nuk pyeten në kuvendin e popullit
as në bashkim nuk kanë një vend të veçantë.
38 Nuk rrinë në ndenjëse gjyqi,
nuk i kuptojnë ligjet e gjyqit,
s’dinë ta shtjellojnë as mësimin as gjyqin,
s’gjenden ndër autorë të fjalëve të urta,
39 ata veç e përkrahin me punë jetën shoqërore
e kujdesi i tyre qëndron në kryerjen e mjeshtrisë.