1 Çdo mik thotë: “Edhe mua më ke mik!”,
por ka mik që është i tillë vetëm me emër.
Vallë, a s’është trishtim që i afrohet vdekjes,
2 kur shoku dhe miku të shndërrohet në armik?
3 O prirje e keqe, nga e krijove,
për të mbuluar terikun me të keqe e me dredhi?
4 Shoku i gëzohet mikut në mirëqenie,
kurse në ditë të vështirë i bëhet kundërshtar.
5 Shoku bashkëvuan me mikun për shkak të barkut,
por përballë luftimit merr mburojën.
6 Mos e harro mikun e zemrës sate
dhe mos e harro kur të bëhesh i pasur.
7 Mos u këshillo me atë që të vë pritë,
fshehe synimin tënd prej atij që ta ka smirë.
8 Çdo këshilltar jep këshilla,
por ka këshilltar që këshillon për të mirën e vet.
9 Ruhu prej atij që të jep këshilla,
më parë heto ç’nevojë mund të ketë
10 ndoshta ta ka vënë syrin
e të thotë:
11 “Je udhës së drejtë!”,
e rri kundruall për të parë çka do të ndodhë.
12 Mos u këshillo me njeri smirëzi,
e prej atij që ta ka smirë, fshehe synimin tënd;
as me gruan për rivalen e saj,
as me frikacakun për luftë,
as me tregtarin për tregti,
as me blerësin për shitje,
as me të ziliqarin për mirënjohje,
13 as me të patenzonin për përshpirtëri,
as me të pandershmin për nder,
as me përtacin për veprimtari,
14 as me mëditësin vjetor për mbarimin e vitit,
as me shërbëtorin përtac për veprimtari të madhe:
mos u mbështet në ta për asnjë këshillë.
15 Por vazhdimisht qëndro me njeri të përshpirtshëm,
me atë që e di se i mban urdhërimet,
16 shpirti i të cilit është si shpirti yt
e që, kur të mbetësh në errësirë, t’i dhimbsesh.
17 Ndiqe me ngulm këshillën e zemrës sate,
sepse s’ke askënd më besnik se atë.
18 Shpeshherë ndërgjegjja e njeriut i përkujton të vërtetën
më mirë se shtatë vrojtarë që vëzhgojnë nga pirgu i lartë.
19 E mbi të gjitha lutju të Tejetlartit
që ta drejtojë udhën tënde në të vërtetën.
20 Para çdo vepre: fjala e vërtetë
e para çdo pune: shqyrtim i palëkundshëm.
21 Rrënja e këshillit është zemra
nga e cila dalin katër dega:
e mira dhe e keqja, jeta dhe vdekja,
kurse gjuha është zotëruesja e tyre vazhdimisht.
22 Ka njeri – mësues të ditur për të tjerët,
por krejtësisht të padobishëm për vetvete.
23 Prapë, një tjetër është fjalëmbarë, por i neveritshëm:
të tillit do t’i mungojë edhe buka e gojës,
24 sepse nuk i ka qenë dhuruar hiri prej Zotit
dhe i mungon urtia në përgjithësi.
25 Ka edhe të urtë për vetvete
dhe fryti i mençurisë së tij mbetet mbi të.
26 I urti e mëson popullin e vet,
frytet e mençurisë së tij janë të sigurta.
27 I urti mbushet me bekime
dhe të gjithë ata që e shohin, e shpallin të lum.
28 Jeta e njeriut i ka ditët e numëruara,
ndërsa ditët e Izraelit janë të panumërta.
29 I urti fiton besim në popullin e vet
dhe emri i tij do të jetojë përgjithmonë.
30 Bir, sa të jesh gjallë vëre në provë jetën tënde
e shiko çfarë i bën dëm: mos ia jep!
31 Jo të gjitha të gjithëve u bëjnë mirë
dhe jo secilit njeri gjithçka i pëlqen.
32 Mos ji grykës në asnjë gjë që të ka shije
dhe mos u sul me grykësi në asnjë ushqim,
33 sepse ushqimi i tepërt shkakton sëmundje,
papërkorja shkakton lëbarken.
34 Për shkak të grykësisë shumë vdiqën,
kurse kush përmbahet, e zgjat jetën.