< Sir 35 Sir 37 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 36)
36

1 Ki mëshirë për ne, o Hyji i gjithësisë,
lëshoje shikimin tënd mbi ne dhe na e trego
dritën e mëshirave të tua

2 dhe përshkoji me frikën tënde të gjithë paganët
që nuk të kërkojnë ty,
me qëllim që ta kuptojnë
se s’ka tjetër Hyj përveç Teje
e t’i shpallin veprat e madhërishme të tuat.

3 Ngrije dorën tënde mbi kombet e huaja
që ta shohin pushtetin tënd.

4 Sikurse në sytë e tyre na u dëftove neve i shenjtë,
ashtu në sytë tanë dëftohu i madh ndaj tyre,

5 që ta kuptojnë, siç e kuptuam edhe ne,
se s’ka tjetër Hyj përveç teje, o Zot.

6 Përtërij shenjat e përsëriti mrekullitë,

7 jepi lavdi dorës dhe forcoje krahun e djathtë,

8 zgjoje zemërimin e flakë ndize hidhërimin,

9 shtroje kundërshtarin e zhduke armikun!

10 Shpejto kohën e mos e harro synimin e amshueshëm
e le të përmenden mrekullitë e tua.

11 Le ta përpijë flaka e hidhërimit
atë që mundohet të shpëtojë
e le të sharrojnë të gjthë ata
që e marrin me të keq popullin tënd.

12 Thërmoje kokën e princave të armikut
që thonë: “Përveç nesh s’është askush tjetër”!

13 Bashkoji të gjitha fiset e Jakobit,
ktheju pronat si në fillim.

14 Ki mëshirë për popullin tënd
që quhet me emrin tënd,
për Izraelin që e bëre të parëlindurin tënd.

15 Kij dhimbje për Qytetin tënd të shenjtë,
për Jerusalemin, vendin e pushimit tënd.

16 Mbushe Sionin me madhërinë tënde
e me lavdinë tënde Tempullin tënd.

17 Jepu dëshmi krijesave të tua të para,
plotësoji parakallëzimet e thëna në Emrin tënd.

18 Shpërbleji ata që shpresojnë në ty,
që të vërtetohen fjalët e profetëve të tu.
Dëgjoji lutjet e shërbëtorëve të tu

19 sipas mirësisë sate për popullin tënd.
Na drejto udhës së drejtësisë
që ta dinë të gjithë banuesit e tokës
se ti je Hyji i amshueshëm.

20 Lukthi bluan çdo ushqim,
megjithatë një ushqim është më i mirë se tjetri;

21 qiellza e dallon me shije egërsirën
e mendja e kthjellët fjalët e rreme.

22 Zemra e keqe shkakton trishtim,
por njeriu me përvojë di si duhet kthyer.

23 Gruaja pranon çdo burrë,
por njëra vajzë është më e mirë se tjetra.

24 Bukuria e gruas e gëzon fytyrën e burrit të vet,
dhe i tejkalon të gjitha dëshirat e njeriut.

25 Po nëse përveç kësaj ka edhe gjuhë të kujdesshme,
të ëmbël e të mëshirshme,
burri i saj s’është si një vdekatar i thjeshtë.

26 Kush e ka gruan e mirë,
ka më të madhen pasuri,
ndihmë të përshtatshme e shtyllë mbështetëse.

27 Ku nuk ka gardh, vreshti vidhet,
kush nuk ka grua, është endacak i trishtuar.

28 Kush i beson atij që s’e ka çerdhen e vet
dhe strehohet aty ku e zë nata,
si cubi i shkathët që endet nga qyteti në qytet?



Fjala e Zotit