1 Shpresa e kotë dhe gënjeshtare janë për njeriun e marrë
e ëndrrat u japin krahë të pamendëve.
2 Si ai që kap hijen ose e dëbon vrap erën,
ai që u beson ëndrrave.
3 Kjo pas asaj është të parët e ëndrrave:
përballë një fytyre një fytyrë e ngjashme.
4 Nga e papastërta si mund të dalë e pastërta?
E nga gënjeshtra si mund të dalë e vërteta?
5 Falle, shpatulla e ëndrra janë punë kote
6 e, porsi gruas në lindje, mendja bien në kllapi.
Nëse i Tejetlarti nuk i dërgon si zëdhënës,
aspak mos vra vesh për to.
7 Ëndrrat shumë njerëz i kanë çuar në gabim
dhe sharruan ata që shpresuan në to.
8 Ligji duhet zbatuar pa gënjeshtra
e urtia është përsosje në gojën që flet të vërtetën.
9 Kush ka udhëtuar shumë, shumë edhe di,
e kush ka përvojë të madhe, flet me urti.
10 Kush s’ka sprovuar asgjë, pak di,
e kush ka udhëtuar shumë, e ka shtuar mprehtësinë.
11
12 Shumë gjëra i kam parë në udhëtime
edhe shumë gjëra i mësova;
13 Shpeshherë qeshë në rrezik vdekjeje,
por, në saje të përvojës, gjeta shpëtim.
14 Shpirti i atyre që e druajnë Zotin do të jetojë
dhe në saje të tij do të gjejë bekim.
15 Shpresa e tyre është në Atë që i shpëton
dhe sytë e Zotit janë mbi ata që e duan.
16 Kush e druan Zotin asgjë s’do të ketë frikë,
nuk do të trembet sepse Ai është shpresa e tij.
17 I lum është shpirti i atij që e druan Zotin.
18 Në kë mbështetet? Kush është fuqia e tij?
19 Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë:
mbrojtje e fuqishme, mbështetje e patundshme,
strehim nga era e zjarrtë, nga vapa e diellit të mesditës,
20 mbrojtje në pengesa, ndihmë në rrëzim,
ngritës i shpirtit e ndriçues i syve,
dhënës i shëndetit të jetës e i bekimit.
21 Zoti është e vetmja ndihmë për ata që shpresojnë në të,
udhës së vërtetës e të drejtësisë.
22 Kush flijon çka padrejtësisht fitoi,
flijon kusht të njollosur,
po edhe flitë e të padrejtëve nuk pëlqehen.
23 I Tejetlarti s’i kërkon flitë e të paudhëve,
as s’i shikon kushtet e keqbërësve,
as nuk ua fal mëkatet pse kushtojnë fli të shumta.
24 Kush kushton fli nga kamja e skamnorëve
bën porsi ai që vret djalin në sytë e të atit.
25 Buka e nevojtarëve është jeta e skamnorëve,
kush ua merr është gjakësor.
26 E vret të afërmin ai që ia merr ushqimin e djersës,
27 gjak derdh kush ia ha mëditësit pagën.
28 Njëri ndërton e tjetri rrënon:
ç’tjetër dobi përveçse mundit?
29 Njëri lutet e tjetri mallkon:
zërin e cilit do ta vështrojë Zoti?
30 Atij që e preku të vdekurin e pastaj u la,
nëse prapë e prek, ç’i vlejti ajo larje?
31 Kështu i ndodh edhe njeriut që agjëron për mëkatet e veta
e pastaj shkon e vazhdon t’i bëjë të njëjtat.
Kush do ta marrë para sysh lutjen e tij?
Ç’përfitim ka nëse e mundoi vetveten?