< Sir 31 Sir 33 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 32)
32

1 Të kanë vënë prijës të tryezës?
Mos u kreno, sillu ndër ta si çdokush prej tyre.

2 Kujdesu njëherë për ta e atëherë ulu.
Pasi t’i kesh kryer të gjitha detyrat e tua, ulu

3 që të gëzohesh për shkak të tyre
e ta marrësh kezën për arsye të mirësjelljes
e ta fitosh çmimin e të bashkëftuarve.

4 Fol, plak, se të ka hije,

5 fjala e parë me urti të peshuar,
por mos e pengo muzikën.

6 Në gosti mos u zbraz në bisedë
e në kohë të papërshtatshme mos u hap në urti.

7 Vulë guri të paçmueshëm në unazë ari
është koncerti i muzikës në gosti me verë;

8 çka është shenja e smeraldit në një stoli ari
është muzika e shijshme në gosti të gëzueshme e të matur vere.

9 Dëgjo në heshtje e, pse i nderon të tjetët,
do të gjesh nderim edhe për vete.

10 Fol, djalosh, vetëm për çështjen tënde,

11 por vetëm nëse dy herë pyetesh.

12 Fol shkurtimisht, e thuaj me pak fjalë shumë,
sillu si ai që di e hesht.

13 Kur të jesh me bujarë, mos u barazo me ta,
e, ku janë pleqtë, mos fol shumë.

14 Para gjëmës së motit vjen vetëtima,
para budallallëk vjen hiri i sjelljes.

15 Në kohë të të ngriturit çohu e mos rri i fundit,
mësyj shtëpinë e mos u vono,
aty bëj ç’dëshiron e luaj,

16 bëj çka të pëlqen
e mos mëkato me fjalë krenarie.

17 Përmbi të gjitha bekoje Zotin që të krijoi
e që të mbushi me të gjitha të mirat e veta.

18 Kush e druan Zotin e pranon mësimin,
ata që e kërkojnë, e gjejnë bekimin.

19 Kush e kërkon Ligjin do të shpërblehet prej tij,
por shtiracaku do të shkandullohet në të.

20 Kush e druan Zotin, do ta gjejë drejtësinë,
veprat e tija të mira do të ndriçojnë si drita.

21 Njeriu mëkatar s’e pranon qortimin
dhe gjen përligjime sipas hamendjes së vet.

22 Njeriu i arsyeshëm s’e përbuz qortimin me vend,
i mbrapshti e krenari s’ndjen asnjëlloj frike.

23

24 Bir, mos bëj asgjë pa e menduar mirë përpara
e s’do të pendohesh më vonë.

25 Mos ec udhëve të rrezikshme
që të mos marrësh në thua në gurë.
Mos i beso udhës së panjohur,
që të mos i vësh lak jetës sate.

26 Ruaju edhe prej fëmijëve të tu,
ki kujdes edhe prej shtëpiakëve të tu.

27 Në çdo veprim tënd ki besim në shpirtin tënd:
sepse edhe kjo është mbajtje e urdhërimeve të Zotit.

28 Kush i beson Ligjit, i mban urdhërimet
dhe kush ka besim në Zotin,
s’do të pësojë dëm.



Fjala e Zotit