< Sir 30 Sir 32 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 31)
31

1

Kujdesi i pasanikut trupin ia shkatërron,
mendimet e tija gjumin ia humbasin.

2 Kujdesi për jetesë e humb gjumin
porsi sëmundja e rëndë që s’lë të flihet.

3 Pasaniku lodhet duke bashkuar kamjen
e, kur pushon, i gëzon të mirat.

4 Skamnori lodhet pse s’ka me se të jetojë
e, nëse pushon, bie në skamje.

5 Kush jepet pas arit, pa mëkat s’mbetet,
e kush vrapon pas fitimit,
për shkak të tij do të birret.

6 Shumë janë bjerrë për shkak të arit
e rrënimi i tyre ishte përpara tyre.

7 Është lak për ata që jepen pas tij,
të mjerët ata që jepen pas tij:
çdo i pamend bie në kurth të tij.

8 Lum pasaniku që është i patëmetë,
që s’jepet pas arit
e që s’e vë shpresën në pare e në visare.

9 Kush është ky se duam ta lavdërojmë!
Sepse ka bërë vepra të mrekullueshme në popullin e vet.

10 Kush qe sprovuar në të e mbeti i përsosur?
Lavdia e tij do të jetë e përhershme.
Ai që mundi të mëkatojë e nuk mëkatoi,
të bëjë të keqen e nuk e bëri?

11 Ai i ka të sigurta të mirat e veta në Zotin
dhe lëmoshat e tija do t’i tregojë
mbarë bashkësia e shenjtërve.

12 Përkorja.
U ule në sofër të begatshme?
Mos e hap grykën tënde më i pari.

13 Mos thuaj: “Se ç’mbushulli në tryezë!”

14 Të bjerë ndër mend se është e keqe e madhe syri i uritur:
në iri e ka Zoti syrin e uritur.

15 Çka ka qenë krijuar më e keqe se syri?
Së këndejmi edhe loton në çdo rrethanë.

16 Ku shikon tjetri mos e shtrij i pari dorën,
që i përlyer me lakmim të mos turpërohesh

17 e të mos ndeshesh me të në pjatë.

18 Gjykoji kërkesat e të tjerëve sipas të tuave
dhe ji i vëmendshëm në çdo veprim.

19 Ha me njerëzi çka të jetë vënë përpara
dhe mos ji grykës e të bëhesh për gjithkënd i neveritshëm.

20 Për hir të njerëzisë lëre i pari
e mos tepro me të ngrënë,
që të mos japësh shkandull.

21 Nëse rri mes shumë të ftuarve,
mos e shtrij dorën para tyre
dhe mos kërko i pari të pish.

22 Pak verë është e mjaftueshme për njeriun e edukuar!
Do të flesh pa veshtirësi e s’do të kesh dhimbje.

23 Grykësi s’mund të flejë
ka heqje barku e dhimbje;

24 gjumë të shëndetshëm ka njeriu i përkorë:
fle deri në mëngjes
dhe shpirti i tij zgjohet i kënaqur, plot shëndet.

25 Por, nëse t’u desh të hash për së tepërmi,
çohu e vill e do të ndjehesh më mirë
dhe s’do t’i shkaktosh trupit sëmundjen.

26 Më dëgjo, bir, e mos ma përbuz mësimin,
e një ditë do t’i kuptosh fjalët e mia.

27 Në të gjitha veprat e tua ji i matur
dhe s’do të të gjejë asnjë sëmundje.

28 Buzët e shumëkujt e lëvdojnë bujarin në pritje
dhe e përhershme mbetet dëshmia e bujarisë së tij,

29 kurse koprracin në pritje e qorton mbarë qyteti
dhe s’harrohet zëri i koprracin së tij.

30 Verës mos i shit trimëri,
sepse shumë i ka humbur vera.

31 Furra e sprovon brumin e çelikut:
kështu edhe vera zemrat e krenarëve në grindje.

32 Vera është jetë për njeriun
nëse e pi me përkore.

33 Çfarë jete ka ai që s’e përdor verën?

34 Çka e dëmton jetën? Vdekja.

35 Vera qe krijuar për të gëzuar zemrën
e jo për t’u dehur, kurrsesi.

36 Galdim për shpirt, gëzim e kënaqje e zemrës
vera e pirë me masë e me kohë:

37 pija me përkore është shëndeti i shpirtit e i trupit.

38 Vera e pirë për së tepërmi sjell
shqetësim, hidhërim e rrënime të mëdha.

39 Hidhërim zemre vera e pirë për së tepërmi
me shqetësime e me rrënime.

40 Dehja e shton frymën e të pamendit për të fyer,
dobëson fuqinë e sjell plagë.

41 Në pirje mos e prek të afërmin
dhe mos e përbuz kur është qefli,

42 mos i thuaj fjalë të rëndë
as mos i kërko të të kthejë detyrimet.



Fjala e Zotit