< Sir 28 Sir 30 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 29)
29

1 Kush e vë në veprim mëshirën, i huazon të afërmit
e kush ndihmon me dorë të vet, i mban urdhërimet.

2 Huazoji të afërmit kur është në nevojë
e prapë, ktheji të afërmit në kohën e caktuar.

3 Mbaja fjalën e ji besnik
e në çdo kohë do të gjesh çka ke nevojë.

4 Shumë e çmojnë huanë si një gjë të gjetur
e u sjellin hidhërim atyre që u ndihmuan.

5 Deri sa ta marrë huanë, puth duart e dhënësit
dhe me përvujtëri flet për pasurinë e të afërmit,

6 por në kohën e kthimit e shtyn afatin,
s’pushon duke u ankuar e nynykatur
e fajin ia lë rrethanave të kohës.

7 Nëse ka me se të kthejë, bën kundërshtime;
mezi kthen gjysmën e gjësë
dhe e çmon si një gjë të gjetur.

8 Përndryshe ia han paret
e kështu e bën atë armik pa nevojë.

9 Ia kthen me të shara e me nëmë
dhe, në vend të falënderimit,
ia kthen me fyerje.

10 Shumë nuk huazojnë jo prej zemrës së keqe,
por tremben se kot së koti do të plaçkiten.

11 Megjithëkëtë, ji dorëdhënë me të mjerin
e mos e lër të presë tepër gjatë lëmoshën tënde.

12 Për arsye të urdhrit ndihmoje skamnorin
dhe sipas nevojës së tij, mos e nis duarthatë.

13 Hidhi paratë për dashuri të vëllait e të mikut
e mos i fsheh të prishen nën gur.

14 Vëre visarin tënd në urdhërime të Tejetlartit
e do të të dalë më i dobishëm se ari.

15 Mbylle lëmoshën tënde në zemrën e skamnorit
dhe kjo do të shpëtojë prej të gjitha të këqijave.

16

17

18 Më fort se shqyti i fortë e se heshta e rëndë
do të luftojë për ty kundër armikut tënd.

19 Njeriu i mirë hyn dorëzanë për të afërmin e vet,
kush e ka humbur turpin e lë pa i hyrë dorëzanë.

20 Mos ia harro nderën dorëzanit,
sepse e ka dhënë shpirtin e vet për ty.

21

22 Mëkatari i shkon kottë mirat e dorëzanit
njeriu i panjerëzishëm e harron shpëtuesin e vet.

23

24 Dorëzania i ka fikur shumë njerëz të mirë
dhe i ka tronditur porsi valët e detit.

25 I ka nxitur prej shtëpie shumë njerëz të pasur
dhe u endën nëpër popuj të huaj.

26 Mëkatari që i shkel urdhërimet e Zotit
bie në gabimin e dorëzanisë
e pse synon të nxjerrë ndonjë dobi,
bie në duar të gjykatësit.

27 Hyr dorëzanë për të afërmin tënd sipas kamjes sate,
por kujdesohu që edhe ti të mos sharrosh.

28 Të domosdoshmet themelore të jetës së njeriut janë:
uji, buka, veshja dhe shtëpia
për të mbuluar lakuriqësinë e turpshme.

29 Më i mirë është ushqimi i skamnorit nën pullaz skublash,
se gostitë e shkëlqyeshme në shtëpi të huaj.

30 Ji i kënaqur me pak o me shumë
e s’do ta sporvosh përbuzjen e endacakut.

31 Jetë e keqe të endesh nga një shtëpi në tjetrën
e, kudo të ndalesh, s’guxon të hapësh gojë
as s’do të kesh besim.

32 Do të pranohesh për mik, do të hash e do të pish,
por pa nderim e për më tepër do të dëgjosh fjalë të hidhura:

33 “Çohu, or mik, e shtroje tryezën
e, nëse ke ndonjë gjë nëpër dorë, më jep të ha”!

34 “Dil se më ka ardhur një më i nderueshëm!
Ma lësho shtëpinë se ka nevojë për banim im vëlla”!

35 Të rënda të gjitha këto për një njeri të mençur:
poshtërimi për mikpritje e turpërimi për huadhënie.



Fjala e Zotit