< Sir 26 Sir 28 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 27)
27

1 Për shkak të fitesës shumë mëkatojnë
e kush kërkon të pasurohet nuk e pështyn dorën.

2 Sikurse huri ngulet ndërmjet gurëve,

3 ashtu ndërmjet shitjes e blerjes depërton mëkati.

4 Nëse s’e mban veten në frikën e Zotit,
së shpejti do të përmbyset shtëpia jote.

5 Sikurse kur tundet shosha, mbesin zonat,
kështu edhe mungesat e njeriut dalin në pah në të folur.

6 Enët e vorbëtarit i sprovon furra,
njerëzit e drejtë i sprovon vuajtja.

7 Si u punua një pemë e dëftojnë frutat,
kështu edhe fjala e zbulon mendimin e njeriut.

8 Para se të ketë folur askënd mos lavdëro:
sepse të folurit është prova e njeriut.

9 Nëse e ndjek drejtësinë, patjetër do ta zësh
dhe do ta veshësh porsi petk nderi,
do të banosh me të, do të të mbrojë përgjithmonë
dhe në ditën e provës në të do të gjesh mbështetjen e sigurt.

10 Zogjtë tubohen me të ngjashmit e vet
dhe e vërteta kthehet tek ata që e shtinë në veprim.

11 Luani gjahut gjithmonë i rri në pritë,
kështu edhe mëkatet atyre që bëjnë paudhësi.

12 Biseda e njeriut të përshpirtshëm flet përherë urti,
kurse i patenzoni ndërrohet porsi hëna.

13 Mes njerëzve të pamend, ruaje kohën,
mes njerëzve të urtë mos të dhimbet koha.

14 Biseda e të marrëve është e neveritshme,
të qeshurit e tyre në kënaqësitë e mëkatit.

15 Biseda e atij që bën be shumë, të çon flokët e kokës
e, kur të tillët grinden, bëjnë të mbyllim veshët.

16 Grindja e njerëzve krenarë mbaron me gjakderdhje
e të sharat e tyre tmerr janë edhe të dëgjohen.

17 Kush zbulon fshehtësitë, humb besimin e mikut
dhe s’do të gjejë më mik për vetvete:

18 Duaje mikun dhe mbaja besën;

19 por, nëse ia zbulon fshehtësitë e tija,
s’ke pse i shkon më pas,

20 sepse, porsi ai që e ka bjerrë atë që i ka vdekur,
ashtu e ke bjerrë miqësinë e të afërmit tënd,

21 e, porsi ai që e lëshon zogun prej dorës,
ashtu e lë të shkojë të afërmin tënd, më s’do ta zësh.

22 Mos iu vër pas, sepse tashmë është shumë larg;
vërtet shpëtoi porsi shuta prej lakut,
sepse e plagosur është zemra e tij,

23 më s’do të jesh në gjendje ta lidhësh.
Një nëmë e sharje ndoshta mund të pajtohet,

24 por, të zbulosh fshehtësitë e mikut,
do të thotë ta këputësh krejtësisht shpresën.

25 Kush bën në sy, trillon të keqen;
kush e njeh, largohet prej tij.

26 Para syve të tu është gojëmbël
dhe bisedat e tua e mallëngjejnë,
por, pas syve, i ndërron fjalët
e fjalët e tua i cilëson shkandull.

27 Shumë gjëra më neverisin, por jo sa ky njeri,
por edhe Zoti të tillin e ka inat.

28 Kush hedh peshën përpjetë, mbi kokë i bie:
edhe goditja me tradhti tradhtarin godet.

29 Kush gropën hap, vetë bie brenda,
kush ia qet gurin të afërmit, vetë në të do të marrë në thua
e kush ia ngeh tjetrit lakun, vet në të zihet.

30 Kush e zbaton synimin e mbrapshtë, mbi të ai kthehet
e nuk e di se nga i ka ardhur.

31 Përqeshja e poshtërimi s’i ndahen krenarit
dhe hakmarrja i rri në pritë si luani.

32 Në lak do të bien ata që i gëzohen rënies së të drejtëve,
para se të vdesin, dhimbjet do t’i shkrijnë.

33 Hidhërimi dhe urrejtja njësoj janë të urrejtshme,
të dyja në zemër i ndryen mëkatari.



Fjala e Zotit