1
O Zot, Ati e Zotëruesi i jetës sime,
mos më lësho tekave të tyre
dhe mos lejo të humbas për shkak të tyre.
2 Ku ta gjej atë që t’u sjellë frushkull mendimeve të mia,
që të bëhet disiplinë urtie për zemrën time,
që të mos m’i falë gabimet e mia
e fajet e mia të mos mbesin pa ndëshkuar,
3 që të mos shtohen gabimet e mia,
e të mos shumohen fajet e mia, mëkatet e mia
e të bie për tokë para kundërshtarëve të mi
dhe të gëzojë mbi mua armiku im?
4 O Zot, Ati e Hyji i jetës sime,
mos më lësho në tekat e tyre!
5 Mos më jep assesi sy krenarie
dhe flake larg meje çdo dëshirim epshor.
6 Zhduki prej meje dëshirimet trupore të ulta,
që epshet e ulëta të mishit e të gjakut
të mos më mbizotërojnë
dhe mos më lësho në dorë të dëshirave të pandershme
të pangishme e të turpshme.
7 Zotërimi i gojës:
Dëgjoni, bijtë e mi, si mbizotërohet goja!
Kush ta ruajë atë, s’do të gabojë më buzë
e s’do të bjerë në vepra shumë të këqija.
8 Njeriu zihet në lak për shkak të buzëve të veta
edhe për shkak të tyre rrëzohet llafazani e krenari.
9 Gojën tënde mos e mëso të bëjë be:
të shumta janë rëniet për shkak të saj.
10 Mos e përmend shpesh Emrin e Hyjit
dhe mos u përziej në emrat e shenjtërve,
sepse s’do të mbetesh i pandëshkuar.
11 Sepse, sikurse skllavi që vazhdimisht mbikëqyret
s’ka se si të mbesë pa plagë,
kështu edhe ai që përbetohet e për çdo gjë
merr nëpër gojë Emrin e Zotit,
s’do të mbesë i pastër prej mëkatit.
12 Njeriu që betohet shumë, mbushet me faje,
prej shtëpisë së tij s’do të largohet plaga.
13 Nëse e lë mangu, faji i tij mbi të do të bjerë,
e, nëse betohet në rrenë, mëkaton dyfish.
14 Nëse përbetohet kot, nuk do të jetë i pafajshëm:
shtëpia e tij do të mbushet me të zeza.
15 Është një tjetër mënyrë të të foluri
që duhet krahasuar me vdekjen:
kurrë mos u gjettë në trashëgimin e Jakobit!
16 Të gjitha këto larg qofshin prej të përshpirtshmëve
që të mos zhgërryhen në mëkate.
17 Mos e mëso gojën tënde në fjalë të ndyta:
sepse me to bën mëkat me fjalë.
18 Kujto babain e nënën tënde
kur të rrish mes njerëzve të mëdhenj,
19 me qëllim që të mos habitesh para tyre
e të sillesh si i marrë nga vesi i keq,
të poshtërosh vetveten,
do të parapëlqesh të mos kishe lindur
dhe do ta mallkosh ditën e lindjes sate.
20 Njeriu i mësuar të flasë fjalë poshtëruese,
kurrë gjatë tërë jetës së tij s’mund të ndreqet.
21 Dy lloje njerëzish i shumojnë mëkatet
e i treti lloj sjell mbi vete hidhërimin e humbjen:
22 epshi i ndezur si zjarri djegës,
që nuk fiket po nuk shfreu
23 dhe njeriu që bën fëlligështi në trupin e vet:
nuk pushon deri sa zjarri ta ketë shuar.
24 Fëlligështarit çdo bukë i është e shijshmë:
s’do të pushojë deri të vdesë.
25 Njeriu që mëkaton në shtratin e vet,
përbuz në shpirt të vet e thotë: “Kush më sheh?
26 Terri më rrethon e muret më fshehin,
askush përreth s’më shikon, kë të kem frikë?
Fajet e mia s’do t’i bien në mend të Tejetlartit”;
27 s’e kupton se syri i Tij sheh gjithçka,
sepse e dëbon prej vetes druajtjen ndaj Hyjit
frika e njeriut të tillë.
Vetëm sytë e njerëzve të tillit i shtinë frikë
28 e s’e di se sytë e Zotit
janë shumë më të ndritshëm se dielli,
që i shikojnë të gjitha udhët e njerëzve e thellësitë e oqeanit
dhe shohin deri skutat më të fshehta të zemrës së njerëzve.
29 Hyji Zot të gjitha i ka të njohura
edhe më përpara se të krijoheshin,
kështu, edhe pasi i ka krijuar,
të gjitha i sheh.
30 Të tillin do ta gjejë ndëshkimi në udhët e qytetit,
do të mundohet të ikë porsi zogu i pelës,
por, ku s’do ta presë, aty do të kapet,
31 dhe do të jetë çnderim për të gjithë
sepse nuk e kuptoi frikën e Zotit.
32 Kështu i ndodh edhe gruas që e lë burrin e vet
dhe i lind trashëgimtarë me njeri të huaj.
33 Sepse, më së pari e ka shkelur Ligjin e të Tejetlartit,
së dyti ka bërë faj kundër burrit të vet,
së treti ka bërë fëlligështinë e kurorëshkeljes
dhe nga një njeri i huaj ka lindur trashëgimtarë.
34 E tilla do të nxirret para bashkësisë
e do të bëhet shqyrtimi i fëmijëve të saj.
35 Fëmijët e saj nuk do të lëshojnë rrënjë
dhe gemat e saj nuk do të japin fryte.
36 Kujtimin e vet do ta lërë në mallkim
dhe çnderimi i saj kurrë nuk do të shlyhet.
37 Të gjithë ata që mbesin pas saj do ta dinë
se s’ka asgjë më të mirë se frika e Hyjit,
asgjë më të ëmbël se zbatimi i urdhërimeve të Zotit.
38 Është nder i madh të ndiqen gjurmët e Zotit,
sepse jeta e gjatë vjen prej Tij.