1 Me gur të përbaltur krahasohet përtaci,
gjithkush i fishkëllen në shenjë përbuzjeje.
2 Me pleh lopësh krahasohet përtaci,
kushdo e prek, e shkund dorën e vet.
3 Çnderim i babait është fëmija që s’do të mirërritet
e, nëse është vajzë, i lind për poshtërim.
4 Vajza e urtë është visar për burrin e saj,
kurse e pafytyra e çnderon atë që e lindi.
5 Vajza mospërfillëse çnderon babain e burrin,
do të përbuzet prej njërit e prej tjetrit.
6 Muzikë në vaj biseda e pavend,
kurse në çdo kohë vetmohimi e mësimi janë urti.
7 Kush mëson të marrin, pik thërrime,
8 kush flet me atë që s’e dëgjon,
është si ai që zgjon gjumashin.
9 Flet me të fjeturin kush i tregon të marrit urti,
sepse në fund do të pyetë: “Kush është ky?”
10 Qaj mbi të vdekurin, sepse i është fikur drita,
qaj mbi të marrin, sepse i është fikur arsyeja.
11 Më pak qaj mbi të vdekurin, sepse ka pushuar,
12 kurse jeta e të marrit është më e keqe se vdekja.
13 Zija e të vdekurit zgjat shtatë ditë,
kurse e të marrit dhe e të paudhit
zgjat të gjithë jetën e tyre.
14 Mos fol gjatë me të marrin
e mos udhëto me të pamendin.
15 Ruaju tij që të mos të mërzisë
e të mos të ndotë me prekje të vet.
16 Largoju tij e do të gjesh qetësi
e nuk do ta mërzisë marrëzira e tij.
17 Çka është më e rëndë se plumbi?
E si të quhet ndryshe përveç se “i marrë”?
18 Më lehtë mbartet rëra, kripa e pllaka e hekurt
se i pamendi, i marri e i patenzoni.
19 Sikurse trau i mbërthyer mirë në godinë
nuk shkëputet nga dridhja e tokës,
ashtu edhe zemra e forcuar me vendosje të pjekur,
nuk trembet nga asnjë frikë.
20 Zemra e forcuar me mendim të vendosur
është si stolia në murin e përfunduar.
21 Si hunjtë në lartësi e gurët e vënë pa gëlqere
s’mund të qëndrojnë kundër erës së fortë,
22 kështu edhe zemra e frikësuar në mendjen e të marrit
s’mund t’i qëndrojë asnjë sulmi të frikës.
23
24 Kush e vret syrin, e bën të lotojë,
edhe ai që e vret zemrën e dëbon miqësinë.
25 Kush me gurë i gjuan shpendët, i vë në të ikur,
kështu edhe ai që e fyen mikun, e këput miqësinë.
26 Nëse kundër mikut edhe nxjerr shpatën,
mos e bjerr shpresën: sepse ka mundësi të kthehet;
kundër armikut
27 nëse mjerisht e ke hapur gojën,
prapë mos u tremb: ka mundësi pajtimi,
por në rast të fyerjes, të poshtërimit e të krenarisë,
të zbulimit të fshehtësisë e të plagës me tradhti:
në raste të tilla çdo mik largohet.
28 Fitoje besimin e të afërmit tënd sa të jetë në skamje,
që të kesh pjesë edhe në pasurinë e tij të mëvonshme.
29 Në ditët e vështirësisë së tij qëndro besnik
që bashkë me të të ndash trashëgimin e tij.
30 Para zjarrit del nga furra avull e tym,
kështu edhe para gjakut nëma, të sharat e kërcënimet.
31 Të mbroj mikun nuk më vjen turp,
s’fshehem përpara tij,
e, nëse edhe të këqija do të më ndodhin për shkak të tij,
do t’i duroj:
32 Kushdo që të dëgjojë, do të ruhet prej tij.
33 Ku ta gjej atë që të m’i vërë gojës sime rojën
e buzëve të mia vulën e maturisë,
që të mos gaboj me to e të mos më bjerrë gjuha ime?