< Sir 20 Sir 22 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 21)
21

1 Bir, ke mëkatuar? Mos e bëj më,
e lutu për mëkatet e kaluara që të të falen.

2 Si prej gjarpri ik para mëkateve,
se, po iu afrove, do të të hanë!

3 Dhëmbë luani janë dhëmbët e tyre:
njerëzve ua marrin jetën.

4 Shpatë me dy teha është çdo paudhësi:
plagët e saja janë të pashërueshme.

5 Tmerri e padrejtësia e zhdukin pasurinë,
shtëpinë sado të pasur e shkreton krenaria:
kështu asgjësohet pasuria e krenarit.

6 Lutja e skamnorit prej gojës së tij
arrin në veshët e Perëndisë
dhe pa vonesë do t’i jepet e drejta.

7 Kush e urren qortimin, ndjek gjurmët e mëkatarit,
kurse kush e druan Hyjin, e pranon në zemër.

8 Larg e larg njihet njeriu gjuhëgjatë,
por i urti e di se do të rrëzohet.

9 Kush ndërton shtëpinë e vet me para të huaja
është si ai që mbledh gurë për dimër.

10 Shtëllungë liri është mbledhja e të patenzonëve:
mbaron në flakën e zjarrit.

11 Udha e mëkatarëve është e shtruar me kalldrëm,
por mbaron në humnerën e Nëntokës.

12 Kush e mban ligjin, mbizotëron epshet,

13 rrjedhoja e frikës së Zotit është urtia.

14 Kush s’është i aftë nuk mund të bëhet i urtë,

15 sepse ka mendjemprehtësi që shtohet me paudhësi
dhe s’ka urti ku ka shqetësim hidhërimi.

16 Dija e të urtit vërshon me shumicë,
këshilli i tij është si burimi i jetës.

17 Zemra e të marrit është si vegshi i thyer,
s’e mban pikën e urtisë!

18 Kur njeriu i mençur e ndjen një fjalë të urtë,
e lavdëron dhe e shton një tjetër;
kur e dëgjon një njeri epshor ndjen pakënaqësi
dhe e hedh pas shpinës së vet.

19 Biseda e të marrit porsi barra në udhëtim,
kurse në buzët e të urtit gjendet kënaqësia.

20 Fjala e njeriut të urtë kërkohet në mbledhje
dhe për fjalët e tija përsiatet në zemër.

21 Shtëpi e rrënuar është urtia e budallait,
dija e të padijshmit e vetkuptueshme.

22 Disiplina për budallain është si prangat në këmbë
dhe si zinxhirët në dorën e tij të djathtë.

23 I marri qeshet me zë të lartë,
kurse njeriu i urtë bën buzën në gaz, në heshtje.

24

Stoli ari për të urtin disiplina, 
byzylyk ari në dorën e djathtë të tij.

25 Këmba e të marrit vrapon të hyjë në shtëpinë e të afërmit,
kurse njeriu i njerëzishëm afrohet me njerëzi.

26 I pamendi shikon nga dritare në shtëpinë e huaj,
kurse i njerëzishmi pret përjashta.

27 Njeriu i panjerëzishëm përgjon pas dere,
kurse për të urtin është turp i madh.

28 Buzët e fjalamanit flasin marri,
kurse fjalët e të urtit janë mirë të peshuara.

29 Zemra e të marrëve është në gojën e tyre,
ndërsa goja e të urtëve është në zemrën e tyre.

30 Kur i patenzoni mallkon kundërshtarin e vet,
ai vetë e mallkon vetveten.

31 Shpifësi përdhos vetveten e gjithkush e urren;
po edhe ai që qëndron me të, bëhet i urrejtshëm,
nderohet kush di të heshtë e është i arsyeshëm.



Fjala e Zotit