1 Hyji nga toka e krijoi njeriun
dhe e krijoi në përngjasimin e vet.
2 Përsëri njeriun e kthen në dhé
dhe e veshi me fuqi si të veten.
3 Ia dhuroi një numër ditësh e kohë të caktuar
dhe i dha pushtet mbi gjithçka është mbi tokë.
4 Bëri që çdo gjallesë ta ketë frikë njeriun,
që të mbizotëronte mbi egërsira e mbi shpendë.
5 U dha arsye, gjuhë, sy e veshë e zemër
që të mund të gjykonin
dhe i mbushi me dije e me urti.
6 U dhuroi edhe dijen e shpirtit,
me shqisa ua mbushi zemrën
dhe ua tregoi të mirat e të këqijat.
7 Në zemrat e tyre ua përftoi frikën ndaj tij
që t’u dëftonte madhërinë e veprës së vet.
8 U dha mundësinë të mburren në madhëritë e tija
që ta lavdërojnë së bashku Emrin e tij të shenjtë
e t’i shpallin madhëritë e veprave të tija.
9 E u shtoi pastaj edhe dijen
e u dhuroi Ligjin e jetës.
10 E bëri Besëlidhje të amshueshme me ta
e ua dëftoi drejtësinë e gjyqet e veta.
11 Sytë e tyre panë madhërinë e lavdisë së tij
e veshët e tyre dëgjuan zërin e tij të lavdishëm.
E u tha: “Ruhuni nga çdo keqbërësi!”
12 e i dha secilit urdhra në lidhje me të afërmin.
13 Udhët e tyre janë gjithmonë para tij:
nuk janë të fshehta para syve të tij.
14 Secilit popull i vuri kryetarin,
15 kurse Izraeli është pjesa e Hyjit.
16 Të gjitha veprat e tyre janë si dielli para tij
e sytë e tij gjithnjë mbikqyrin nëpër udhët e tyre.
17 Nuk mund të fshihen keqbërësitë e tyre,
të gjitha mëkatet e tyre janë para syve të Hyjit.
18 Veprat e dashurisë janë si vula para tij
dhe e ruan si beben e syrit veprën e mirë të njeriut.
19 Pastaj Ai do të ngritet e do t’i shpërblejë
duke bërë të bjerë shpërblimi i secilit mbi kokë të secilit.
20 Atyre që pendohen u dha udhën e kthimit,
u dha fuqi atyre që u mungon qëndresa
dhe ua caktoi fatin e të vërtetës.
21 Kthehu kah Hyji e lëri mëkatet e tua,
22 lutu para fytyrës së Hyjit e pusho me fyerje.
23 Kthehu tek i Tejetlarti e largoju keqbërësisë sate
dhe urreje paudhësinë.
24 Njihi drejtësinë e gjyqet e Hyjit
qëndro në shortin e gjendjes e të lutjes së Hyjit të tejetlartë.
25 Të Tejetlartin kush do ta lavdërojë në Nëntokë
në vend të të gjallëve që i këndojnë lavde Hyjit?
26 Mos qëndro në gabimin e të patenzonëve:
para se të vdesësh lavdëroje Hyjin,
prej të vdekurit – si të mos ishte asgjë,
mbaron lavdërimi.
27 Lavdëro sa të jesh gjallë, gjallë e shëndosh lavdëro,
lavdëroje Hyjin e mburru me dhembshurinë e tij!
28 Sa e madhe është mëshira e Zotit,
dhembshuria i tij për ata që kthehen tek Ai!
29 Njerëzit nuk mund të kenë gjithçka,
sepse biri i njeriut nuk është i pavdekshëm.
30 Çka është më e ndritshme se dielli?
Por edhe ai errësohet!
Ose ç’është më e keqe se trillon mishi e gjaku?
Edhe ky do të ndëshkohet!
31 Zotynë mbikëqyr ushtritë e qiejve të lartë,
e të gjithë njerëzit janë pluhur e hi.