1 Mos iu gëzo fëmijëve të patenzonë;
sado shumë që të jenë, mos ju gëzo
nëse nuk e kanë druajtje e Hyjit.
2 Mos llogarit mbi jetën e tyre
as mos u mbështet mbi punën e tyre.
3 Vërtet, më i mirë është vetëm një që e druan Hyjin
se një mijë djem të patenzonë.
4 Madje, më mirë është të vdesësh pa fëmijë
se të lësh pas djem të patenzonë.
5 Prej vetëm një njeriu të arsyeshëm popullohet atdheu,
kurse fara e keqbërësve do të shuhet.
6 Shumë nga këto gjëra ka parë syri im
edhe më të mëdha se këto ka dëgjuar veshi im.
7 Në mbledhjen e mëkatarëve flakë do të ndizet zjarri
e kundër popullit të pabesë do të shpërthejë zemërimi.
8 S’gjetën falje viganët e motshëm
që iu çuan kundër pse i besonin fuqisë së vet.
9 Nuk i fali bashkëqytetarët e Lotit,
që i kishte inat për shkak të krenarisë së tyre.
10 Nuk e mëshiroi as popullin e mallkuar,
që qenë shuar në mëkatet e tyre.
11 Kështu veproi me gjashtëqind mijë këmbësorë
që u bënë tok në ngurtësinë e zemrës së tyre,
e, të kishte qenë edhe vetëm një zverrktrashë,
çudi do të ishte të kishte shpëtuar pa ndëshkim,
12 sepse mëshira dhe hidhërimi janë me Hyjin,
pret e fal, por edhe shpërthen në hidhërim.
13 Sa e madhe është mëshira e tij
aq i madh është edhe ndëshkimi i tij:
e gjykon njeriun sipas veprave të tij.
14 S’do të shpëtojë mëkatari me rrëmbimet e tija
as s’do të shkojë hupës qëndresa e të mirit.
15 Çdo vepër mëshire do të ketë shpërblimin:
gjithkush do të shpaguhet sipas meritës së veprave të veta
e sipas dijes së shtegtimit të vet.
Zoti e nguroi zemrën e faraonit që të mos e njohë,
që veprat e tija të bëheshin të njohura nën qiell.
Mëshira e tij iu dëftua të gjitha krijesave të tija,
dritën e vet dhe errësirën e shpërndau ndër njerëz.
16 Mos thuaj: “Do të fshihem prej Hyjit!
Kush do të mendojë për mua atje lart?
17 Nuk do të njihem në mes të Popullit të madh,
sepse, kush jam unë në mes të një mizërie krijesash?”
18 Ja, qielli dhe qiejt e qiejve,
humnera e toka mbarë, me çka është në to,
dridhen kur ai i shikon!
19 Malet, bashkë me kodra, e themelet e tokës,
së bashku dridhen kur Hyji i shikon!
20 Por për këto shpirti s’përsiat,
e pra çdo zemër kuptohet prej tij.
21 Udhët e tija kush mund t’i kuptojë
edhe stuhinë që askush s’e vëren?
22 Vërtet veprat e shumta të tijat janë në fshehtësi
e veprat e drejtësisë së tij kush i shpall
e kush i pret? Sepse larg është Besëlidhja
e hetimi i të gjithave duket se mori fund.
23 Kështu mendon njeriu mendshkurtër,
njeriu i paarsyeshëm, pse është gabim,
mendon marrëzira.
24 Më dëgjo, o bir, e mësoje dijen,
25 pa dredhi do ta tregoj mësimin
e do të shqyrtoj ta tregoj urtinë:
me gjithë mend vështroj fjalët e mia.
Do t’i dëftoj me saktësi fuqitë
që Hyji që në fillim i futi në veprën e vet
dhe në të vërtetë do ta shpall dijen e tij.
26 Që në fillim kur Hyji i krijoi veprat e veta,
që prej krijimit të tyre ua ndau pjesët,
27 i rregulloi përpikërisht e përgjithmonë veprat e veta
dhe drejtimin e tyre gjatë breznive të ardhshme.
As s’u urtësuan dhe as s’u munduan
dhe nuk pushuan prej veprimtarisë së vet.
28 Asnjëra ndër to të afërmin e vet s’e ndesh
29 e kurrë s’ia prishin urdhrin e tij.
30 Pas kësaj Hyji shikoi mbi tokë
dhe e mbushi me të mirat e veta.
31 Me gjallesa të çdo lloji ia mbuloi fytyrën
e të gjitha në të përsëri do të kthehen.