< Sir 13 Sir 15 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 14)
14

1

I lumi ai që nuk ka gabuar me fjalë
e që nuk e mundon trishtimi i fajit.

2 I lumi ai që nuk e dënon shpirti i vet
e që nuk e ka lënë shpresa e vet.

3 Njeriu dorështrenjtë kot e ka pasurinë
e njeriut koprrac çka i duhet ari?

4 Kush është dorështrenjtë për vetvete,
grumbullon për të tjerët,
me të mirat e tija një tjetër do të gostitet.

5 Kush është i keq për vetvete, për kë do të jetë i mirë?
Ai s’di t’i gëzojë as të mirat e veta.

6 S’ka gjë më të keqe se ai që ia ka smirë vetvetes,
ky është shpërblimi i ligësisë së tij.

7 Po edhe në qoftë se bën mirë,
e bën pa dije e pa dashur
dhe në fund e dëfton keqësinë e vet.

8 Syri i koprracit është i keq,
ai e shmang shikimin dhe i urren njerëzit.

9 S’ngihet syri i lakmimtarit me pjesën e vet
deri sa e than dhe e shkrin jetën e vet.

10 Syri lakmues koprrac sulet mbi bukë
dhe mbi tryezën e tij mungon.

11 Bir, nëse ke, mos e lër veten keq
e Hyjit kushtoji fli të denja.

12 Mos harro se vdekja s’do të vonojë
dhe vendimi i Nëntokës nuk të është zbuluar;
vendimi i kësaj bote: vdekja e sigurt.

13 Para se të vdesësh bëji mirë mikut
dhe sipas mundësisë sate ji me të bujar.

14 Mos ia moho vetes një ditë të lume
e mos e lër pa gëzuar as një pjesëz të dëshirës së mirë.

15 Pse a s’do t’ua lësh të tjerëve frytet e mundit tënd,
e mundin tënd a s’do ta ndajnë me short?

16 Dhuro e merr e gëzoje shpirtin tënd;

17 para se të vdesësh bëje drejtësinë,
sepse në Nëntokë s’ke pse e kërkon gëzimin.

18 Çdo gjallesë vjetrohet si petku
dhe porsi gjethi që del në pemë të njomë,

19 njëri del e tjetri bie:
kështu edhe breznitë mishit e gjakut,
njëra mbaron e tjetra lind.

20 Çdo vepër e shkatërrueshme do të mbarojë,
me të mbaron edhe ai që e kryen,

21 por çdo vepër e zgjedhur do të kursehet
dhe ai që e kryen do të nderohet në të.

22 Lum njeriu që qëndron në urtinë,
që në drejtësinë e vet kujton urtisht
e që me mend e ka para sysh shikimin shqyrtues të Hyjit,

23 që në zemrën e vet i mendon udhët e saja
e që i kupton fshehtësitë e saja,
që ecën pas saj porsi vëzhgues
dhe ndalet në udhët e saja.

24 Ai shikon nëpër dritaret e saja
e përgjon në derën e saj,

25 që pushon pranë shtëpisë së saj
dhe e ngul gozhdën e vet në murin e saj:
ndërton kaçorrin e vet përkrah saj
e pushon në një strehim të mirash përgjithmonë.

26 Fëmijët e vet i vë në mbrojtjen e saj
e banon nën degët e saj.

27 Mbrohet nën hijen e saj prej vapës
e banon nën hijen e lavdisë së saj.



Fjala e Zotit