1 Kur të bësh mirë, dije se kujt i bën mirë
e të mirat e tua do të kenë mirënjohje të madhe.
2 Bëji mirë të drejtit e do të kesh shpërblim të madh,
nëse jo prej tij, prej Hyjit me siguri.
3 S’mund të jetë mirë ai që vazhdon në të keqen
e që nuk bën lëmoshë,
sepse edhe i Tejetlarti i urren mëkatarët
e ka mëshirë për ata që bëjnë pendesë.
4 Jepi të mëshirshmit e mos e prano mëkatarin;
Hyji të paudhëve e mëkatarëve do t’u huamerret,
duke i ruajtur ata për ditën e hakmarrjes.
5 Jepi të mirit e mos e prano mëkatarin.
6 Bëji mirë të përvuajturit e mos i jep të paudhit:
mos ia jep armët e luftës
që të mos bëhet më i fortë se ti.
7 Sepse dyfish do t’i kthejë me të këqija
të gjitha të mirat që do t’ia kesh bërë atij,
sepse edhe i Tejetlarti i ka inat mëkatarët
dhe të paudhëve do t’u hakmerret.
8 Në të mira nuk njihet miku
as në mjerim nuk mund të fshihet armiku.
9 Kur njeriu është mirë edhe armiqtë e tij i bëhen miq,
kurse kur është në mjerim edhe miku i largohet.
10 Kurrë mos i beso armikut,
sepse ligësia e tij është si bronzi që ndryshket.
11 Edhe nëse i mposhtur ecën me kokë pëdhe,
rri me kujdes e ruaju prej tij.
Ji me të si ai që fshin pasqyrën
e do ta hetosh në fund se është i ndryshkur.
12 Mos e vër afër vetes
as mos të rrijë në të djathtën tënde,
që të mos kthehet në vendin tënd
e të kërkojë selinë tënde,
e atëherë do t’i marrësh vesh fjalët e mia
e do të brejë ndërgjegjja për shkak të fjalëve të mia.
13 Kujt i dhimbset shituesi i gjarprit nëse e ha gjarpri
si dhe të gjithë ata që u afrohen egërsirave?
Kështu edhe ai që bën shoqëri me të paudhin
e përzihet në mëkatet e tija,
s’do të shpëtojë pa e pasë djegur zjarri.
14 Për një orë ai qëndron me ty,
por, nëse rrëzohesh, ai më nuk përmbahet.
15 Në buzë armiku ka fjalë të ëmbla,
por në zemrën e vet trillon të të hedhë në shpellë.
16 Sytë armikut i mbushen me lot,
por, kur ia gjen mundësinë, gjë s’e ngin me gjak.
17 Nëse të gjen ndonjë e keqe,
aty do ta gjesh, para vetes,
18 e, sikur po të ndihmon, këmbëzën ta shtie.
19 Do të luajë me kokë e do të rrahë me shuplakë,
s’do të pushojë duke nynykatur e do të ndërrojë fytyrë.