1 Çdo urti vjen prej Zotit Hyj,
tek ai ka qenë gjithmonë dhe është pranë tij
gjithherë.
2 Rërën e detit e pikat e shiut
dhe ditët e amshimit, kush mund t’i numërojë?
Lartësinë e qiellit, gjerësinë e tokës
e thellësinë e humnerës, kush mund ta masë?
3 Dijen e Hyjit, që është para të gjithave,
kush mund ta shqyrtojë?
4 Para të gjitha gjërave qe krijuar urtia
dhe mençuria e urtë është prej amshimit.
5 Burimi i urtisë fjala e Hyjit në qiell të larta,
udhët e saja urdhërimet e amshueshme.
6 Rrënja e urtisë kujt i qe zbuluar?
Synimet e fshehta të saja kush i ka njohur?
7 Dija e urtisë kujt i qe zbuluar e dëftuar?
Aftësinë e shumëfishtë të saj kush e ka kuptuar?
8 Një i vetëm është i Tejetlarti, Krijues i gjithëpushtetshëm,
mbret i gjithfuqishëm, pa masë për t’u druajtur,
që rri mbi fronin e vet Zotërues, Hyji.
9 Ai e krijoi në shpirt të shenjtë:
pa, e numëroi dhe e mati.
10 Ai e zbrazi mbi të gjitha veprat e veta,
mbi çdo vdekatar sipas bujarisë së vet
dhe ua shpërndau atyre që e duan.
11 Frika e Tenzot është lavdi e mburrje,
gëzim dhe kurora e galdimit.
12 Frika e Tenzot kënaq zemrën,
jep gëzim e hare dhe jetë të gjatë.
13 Ai që e druan Zotin, mbarimin do ta ketë të mirë,
do të bekohet ditën e vdekjes së tij.
14 Dashuria e Hyjit urti e nderueshme,
15 atyre do t’u dëftohet, do t’u dhurojë në pamjen e vet
dhe në njohjen e veprave të mrekullueshme të vetat.
16 Fillimi i urtisë frika e Zotit;
për besimtarët qe krijuar bashkë me ta në kraharorin e nënës,
që prej amshimit qe themeluar me njerëzit e të vërtetës
dhe vetveten ia beson farës së tyre.
17 Frika e Zotit është plotësia e urtisë;
18 përkushtia e ruan dhe e shfajëson zemrën,
ajo e dhuron kënaqësinë dhe gëzimin.
19
20 Kulmi i urtisë është ta druash Hyjin,
ajo i mbush të vetët me frytet e veta.
21 Çdo shtëpi të tij e mbush me dhurata të çmueshme,
qilarët me visaret e tija.
22 Keza e urtisë frika e Zotit,
lulëzon paqen dhe frytin e shpëtimit:
23 të dyja janë dhurata të Hyjit.
24 Urtia e rigon si shiun dijen e kuptimin e mençurisë
dhe e lartëson lavdinë e atyre që e kanë.
25 Rrënja e urtisë është ta kesh frikë Zotin,
gemat e saj janë jetëgjatë.
26 Në thesaret e dijes është mendja e përkushtia e urtisë,
kurse për mëkatarë urtia është mallkim.
27 Frika e Zotit e dëbon mëkatin;
kur frika është pranë largon çdo zemërim.
28 E njëmend, kush s’e ka frikën, s’mundet të shfajësohet,
sepse zemërimi i zemres së fryrë të tij do të jetë rënia e tij.
29 Për pak kohë duron i durueshmi
e pastaj ia mbërrin kënaqësia.
30 Mençuria e tij për kohë të caktuar i ruan fjalët e tija
dhe goja e të shumëve do të flasë për maturinë e tij.
31 Në thesare të urtisë janë shëmbëlltyrat e dijes,
32 ndërsa nderimi i Hyjit është i urryeshëm për mëkatarin.
33 Bir, nëse e dëshiron urtinë, ruaje drejtësinë,
dhe Hyji do ta dhurojë atë.
34 Sepse frika e Zotit është urti e mësim
dhe Atij i pëlqen
35 besnikëria e butësia.
36 Mos ji njeri që s’i beson frikës së Zotit
dhe mos dil para Tij me zemër të dyfishtë.
37 Mos ji shtiracak para syve të njerëzve,
dhe ki kujdes buzët e tua.
38 Mos e lartëso vetveten që të mos rrëzohesh
e t’i sillësh vetvetes çnderim,
39 sepse Zoti do t’i zbulojë të këqijat e tua të fshehta
dhe do të të përulë para mbarë bashkësisë,
40 sepse dijekeqas i je afruar frikës së Zotit
dhe zemrën e ke plot dredhi e gënjeshtra.