< Rt 1 Rt 3 >
Lexim prej librit të Rutës(Rt 2)
2

1 Noemia kishte një kushëri nga ana e burrit. Ky ishte njeri i pasur dhe burrë i mirë. Quhej Booz.

2 Atëherë Ruta moabite po i thotë vjehrrës së vet: “Nëse më lejon, po shkoj në ara për të mbledhur kallëza që u bien korrëtarëve, ku të më lejojë bujaria e të zotit të shtëpisë.” Ajo iu përgjigj: “Shko, bija ime”!

3 Shkoi, pra, e po mblidhte kallëza pas korrëtarëve. Fati e deshi që toka të ishte prona e njërit që quhej Booz e ishte kushëri i Elimelekut.

4 Dhe, ja, ai vetë erdhi prej Betlehemit e i përshëndeti korrëtarët: “Zoti me ju”. Ata iu përgjigjën: “Zoti të bekoftë”.

5 Atëherë Boozi i tha djaloshit që mbikëqyrte korrëtarët: “E kujt është kjo vajzë”?

6 Ai iu përgjigj: “Kjo është moabitja që erdhi me Noeminë prej dheut të Moabit.

7 Bëri lutje që të mblidhte kallëzat që mbeten pas korrëtarëve. Që nga mëngjesi e deri tani qëndron në këmbë në arë dhe vetëm tani po pushon një çast”.

8 Atëherë Boozi i tha Rutës: “Dëgjo, bijë! Mos shko të mbledhësh kallëza në ara të tjera dhe mos iu ndaj këtij vendi, por qëndro pas vajzave të mia.

9 Vër mendjen: ku të shkojnë ato që të korrin, shko edhe ti pas tyre. Unë u urdhërova djelmoshave të të mos trazojë kush. Kur të të marrë etja, shko e pi ujë prej rrëshiqave që t’i kenë mbushur djelmoshat”.

10 Ajo atëherë ra me fytyrë përdhe, u përkul me nderim e tha: “Nga e kam këtë nder që të gjej hir para syve të tu e të kujdesesh për mua që jam një grua prej një vendi të huaj”?

11 Por ai iu përgjigj: “Më kanë treguar gjithçka ke bërë për vjehrrën tënde pas vdekjes së burrit tënd dhe si i ke lënë prindërit e tu e vendin ku ke lindur, dhe ke ardhur në një popull që nuk e ke njohur më parë.

12 Të shpërbleftë Zoti për veprën që ke bërë e marrsh shpërblimin e plotë prej Zotit, Hyjit të Izraelit, tek i cili erdhe dhe nën krahë të të cilit u strehove”.

13 Ajo tha‑: “Oh, sikur t’u pëlqeja gjithmonë syve të tu, imzot! Ti më ngushëllove dhe i dhe guxim shërbëtores sate, megjithëse nuk jam as si cilado ndër shërbëtoret e tua”.

14 Kur u bë koha e drekës, Boozi i tha: “Eja këtu e ha bukë dhe ngjyje kafshatën tënde në uthull!” Ajo u ul përbri korrëtarëve, i dha kaçamak me miell elbi. Hëngri e u ngi dhe i mblodhi tepricat.

15 Atëherë u ngrit dhe mblodhi kallëza. Boozi u urdhëroi shërbëtorëve të vet: “Le të mbledhë edhe ndërmjet duajve e mos ia ndaloni.

16 Madje lërini edhe ju vetë t’ju bien kallinj edhe nga duajt që t’i mbledhë dhe mos ia ndaloni të mbledhë”.

17 Kështu mblodhi në arë deri në mbrëmje. Sa mblodhi, i shiu me thupër: i doli gati një masë efi elb /d. m. th. tri koshiqe/.

18 E ngarkoi dhe e çoi në qytet dhe ia tregoi vjehrrës sa kishte mbledhur. Pastaj nxori edhe sa i kishte tepruar prej ushqimit dhe ia dha.

19 Atëherë i tha e vjehrra: “Ku ke mbledhur sot? Ku ke punuar? Qoftë bekuar ai që pati dhëmbshuri për ty”! Ajo i tregoi te kush kishte punuar e tha: “Ai njeri quhet Booz”.

20 Atëherë Noemia i tha: “Pastë bekim prej Zotit, sepse i paska nderuar të gjallët e të vdekurit.” Pastaj shtoi: “Ai njeri ka një lidhje gjaku me ne; një prej atyre që kanë të drejtën e trashëgimit”.

21 Ruta vazhdoi: “Ai edhe më urdhëroi që të shkoj gjithnjë me korrëtarët e tij derisa t’i mbledhin të gjitha të korrat”.

22 E vjehrra i tha: “Më mirë është, bija ime, që të shkosh me shërbëtoret e tija në të korra që të të mos ndodhë ndonjë ngatërresë në ndonjë arë të tjetërkujt”.

23 Kështu, pra, u shkoi pas korrëtareve të Boozit derisa u krye korrja e elbit dhe e grurit. Dhe vazhdoi të banonte me vjehrrën e vet.



Fjala e Zotit