1 Në kohën e Gjyqtarëve u bë zi buke në vend. Një njeri prej Betlehemit të Judës shkoi për të jetuar me gruan e me dy djemtë në dheun e Moabit.
2 Ky njeri quhej Elimelek, gruaja Noemi dhe dy djemtë e tij quheshin njëri Mahalon e tjetri Kelion. Ishin Efrataj prej Betlehemit të Judës. Kur arritën në vendin e Moabit, aty zunë vend.
3 Vdiq Elimeleku, burri i Noemisë. Mbeti kështu ajo me dy djemtë.
4 Këta u martuan me vajza moabite. Njëra quhej Orfë e tjetra Rutë. Jetuan në atë vend rreth dhjetë vjet.
5 Vdiqën të dy: Mahaloni e Kelioni. Mbeti gjallë gruaja pa djemtë e pa burrin.
6 Atëherë ajo u bë gati për t’u kthyer prej dheut të Moabit në atdhe me të dy rejat. Kishte dëgjuar se Zoti e kishte parë popullin e saj dhe se u kishte dhënë drithëra.
7 Doli pra prej dheut të mërgimit të vet me të dy rejat e veta dhe, si doli në rrugë për t’u kthyer në tokën e Judës,
8 u tha: “Shkoni në shtëpitë e nënave tuaja. Zoti pastë dhimbje për ju siç u dëftuat edhe ju të dhimbshme më të vdekurit e me mua.
9 E bëftë Zoti e gjetshi paqe në shtëpitë e burrave tuaj që do t’i keni fat”. Dhe u përqafua me to. Ato filluan të qanin me zë të lartë
10 e thanë: “Duam të vijmë me ty te populli yt”.
11 Por ajo u përgjigj: “Kthehuni, bijat e mija! Pse doni të vini me mua? Pse a do të kem më fëmijë nga kraharori im që të shpresoni se do të merrni më burrë prej meje?
12 Kthehuni, bijat e mia, shkoni! Jam tepër e plakur e nuk jam më për martesë. Po edhe sikur të ngjizja sonte e të lindja djem,
13 pse a do të donit të prisnit e të mos martoheni derisa do të rriten ata? Mosni, ju lutem, bijat e mija, mosni! Unë jam tepër fatkeqe që të mund t’ju ndihmoj: sepse dora e Zotit është ngritur kundër meje”.
14 Prapë ia filluan të qanin me zë të lartë. Orfa e puthi vjehrrën dhe u kthye; kurse Ruta nuk dëgjoi të ndahet prej vjehrrës.
15 Atëherë Noemia i tha: “Ja, u kthye kunata jote te populli i vet e te zotat e vet, shko edhe ti me të”.
16 Ajo u përgjigj: “Mos m’u vër më që të të lë e të shkoj: kudo që të shkosh ti, do të vij edhe unë, ku të jetosh ti, dua të jetoj edhe unë: populli yt do të jetë populli im, Hyji yt do të jetë Hyji im.
17 Ai dhe që do të të mbulojë ty kur të vdesësh, aty do të vdes edhe unë e aty do të jetë vendi i varrimit tim. M’i qoftë Zoti të gjitha të këqijat nëse më ndan prej teje tjetër gjë përveç vdekjes”.
18 Kur pa Noemia se Ruta ishte e vendosur të shkojë me të, s’deshi më t’i kundërshtojë as t’ia mbushë mendjen të kthehet te të vetët.
19 Kështu u nisën së bashku e erdhën në Betlehem. Kur hynë në qytet, mbarë qyteti u përmallua për to. E gratë thoshin: “Po, a kjo është Noemia... ?”.
20 Ajo u thoshte: “Mos më thirrni Noemia /d. m. th. E bukura/, por Mara /d. m. th. E mjera/, sepse i Gjithëpushtetshmi më mbushi me mjerim të madh.
21 Shkova prej këndej plot me të mira dhe Zoti më ktheu duarthatë; pse, pra, të më quani Noemi, kur Zoti më bëri të mjerë, kur i Gjithëpushtetshmi më bëri të pafat”?
22 Erdhi pra Noemia bashkë me të renë e vet Rutën moabite, u kthye prej mërgimit në Betlehem kur po fillonte korrja e elbit.