< Rom 15 1Kor 1 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve(Rom 16)
16

1 Po jua porosis Febën, motrën tonë [e] që është diakonesha e kishës së Kenhreut.

2 Pranojeni në Zotin si u ka hije shenjtërve dhe ndihmojeni në gjithçka të ketë nevojë për ju, sepse edhe ajo ka qenë mbrojtëse për shumëkënd si dhe për mua.

3 Përshëndetni Priskën e Akuilën, bashkëpunëtorët e mi në Jezu Krishtin, 4 të cilët, për të ma shpëtuar jetën e kanë vënë kokën e vet në gërshërë. I falënderoj, jo vetëm unë, por edhe të gjitha kishat e paganëve.

5 Përshëndeteni kishën që bashkohet në shtëpinë e tyre.

Përshëndeteni edhe Epenetin, të dashurin tim, frytin e parë të Azisë për Krishtin.

6 Të fala edhe Marisë, që aq fort është munduar për ju.

7 Të fala edhe Andronikut e Junies, kushërinjve të mi dhe shokëve të burgut; ata janë të përmendur ndër apostuj dhe kanë qenë para meje të Krishtit.

8 Të fala Ampliatit, të dashurit tim në Zotin.

9 Të fala edhe Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në Krishtin, po edhe Stakës, të dashurit tim.

10 Të fala edhe Apelit, të provuarit në Krishtin. Të fala edhe Aristobulajve.

11 Të fala edhe Herodionit, kushëririt tim. Të fala edhe Narcisajve, që janë në Zotin.

12 Përshëndetni edhe Trifenën dhe Trifozën, të cilat veprojnë për Zotin. Të fala edhe Persidës së dashur, e cila ka vuajtur shumë për Zotin.

13 Të fala edhe Rufit, të zgjedhurit në Zotin, edhe nënës së tij dhe simes.

14 Të fala edhe Asinkritit, Flegontit, Ermes, Patrobit, Ermanit dhe vëllezërve që janë me ta.

15 Të fala edhe Filologut dhe Julisë, Nereut e motrës së tij e Olimpës dhe të gjithë shenjtërve që janë me ta.

16 Përshëndeteni njëri‑tjetrin me të puthur të shenjtë. Ju përshëndesin të gjitha kishat e Krishtit.

17 Ju lutem, o vëllezër, të ruheni prej atyre që shkaktojnë përçarje dhe shkanduj në dëm të mësimit në të cilin jeni mësuar: rrini larg tyre!

18 Sepse të tillët nuk i shërbejnë Krishtit, por barkut të vet dhe, me fjalë të bukura e të ëmbla, gënjejnë zemrat e njerëzve të thjeshtë.

19 Zëri i dëgjesës suaj ka arritur gjithkund. Sa për ju, pra, jam shumë i gëzuar e dëshiroj të jeni të urtë për sa i përket së mirës e të jeni të pastër nga çdo e keqe.

20 Hyji, autori i paqes, do ta dërrmojë për së shpejti djallin nën këmbët tuaja.

Hiri i Jezusit, Zotit tonë, qoftë me ju!

21 Ju përshëndet Timoteu, bashkëpunëtori im, edhe Luci, Jasoni dhe Sosipatri, kushërinjtë e mi.

22 Ju përshëndes në Zotin edhe unë Terci, që e shkrova këtë letër.

23 Ju bën të fala Gaji, mikpritësi im dhe i mbarë kishës. Të fala ju bën Erasti, arkëtari i qytetit edhe vëllai Kuarti. [24]

Doksologjia ‑ Lavdia Hyjit

25 Atij që mund t’ju forcojë ‑

sipas Ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit,

sipas zbulesës së Misterit,

të mbajtur fshehur për kohë të amshuara,

26 por tani të shfaqur dhe, me anë të

shkrimeve të profetëve,

me urdhër të Hyjit të amshuar,

të lajmëruar mbarë popujve paganë

për t’i sjellë në dëgjesën e fesë ‑

27 Një të vetmit Hyj, të Gjithëdijshmit,

i qoftë, nëpër Jezu Krishtin, lavdi

në shekuj të shekujve. Amen.



Fjala e Zotit