< Rom 10 Rom 12 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve(Rom 11)
11

1 Pra, po pyes: A thua Hyji e përbuzi e vet?

Larg qoftë! Sepse edhe vetë jam izraelit, nga pasardhësit e Abrahamit, prej fisit të Beniaminit.

2 Hyji nuk e ka refuzuar e vet të cilin e ka zgjedhur që më parë. Pse a nuk e dini ç’thotë Shkrimi i shenjtë në atë vend ku Elia i ankohet Hyjit kundër Izraelit?

3 “O Zot, i vranë profetët e tu, i rrënuan lterët e tu; unë mbeta vetëm, po edhe mua kërkojnë të më mbysin!”

4 E çka iu përgjigj Hyji? ‘I lashë për vete shtatë mijë burra, të cilët nuk u gjunjëzuan para Baalit.’

5 Kështu edhe në kohën e tanishme është Teprica, që Hyji e zgjodhi prej mirësisë së vet.

6 Nëse është në saje të hirit, nuk është sipas veprave, përndryshe hiri s’do të ishte më hir.

7 Ç’të themi atëherë?

Çka Izraeli kërkon, nuk e fitoi; e fituan vetëm ata që Hyji i zgjodhi. Të tjerët u verbuan,

8 siç është në Shkrimin e shenjtë:

‘Hyji u dha shpirtin e molisjes,

sytë që nuk shohin,

veshët që nuk dëgjojnë,

madje deri në ditën e sotme.’

9 Po edhe Davidi thotë.

‘Tryeza e tyre u bëftë për ta kurth e lak,

shkëmb rrëzimi e ndëshkim i drejtë!

10 U verbofshin sysh e mos pafshin;

kurrizin e tyre kërruse përgjithmonë!’

Shëlbimi i paganëve

11 Pra, po pyes:

A thua u rrëzuan për t’u bjerrë për amshim?

Kurrsesi! Përkundrazi: me rënien e tyre u erdhi shëlbimi paganëve që hebrenjtë të nxiten në zili.

12 Tani, në qoftë se rënia e tyre është fitim për botën e, në qoftë se numri i pakët i besimtarëve prej tyre, është fitim për paganët, aq më tepër do të jetë fitim kur të kthehen të gjithë!

13 E juve, o paganë, po ju them: unë si apostull i paganëve do të jem i lumtur në shërbesën time

14 nëse do t’i nxis në xhelozi ata të gjakut tim e nëse do të mund të shëlboj ndonjë prej tyre.

15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, çka thua do të jetë atëherë pranimi i tyre në fe, në qoftë se jo kalim prej vdekjes në jetë?

16 Në qoftë se mielli është i shenjtë, i shenjtë është edhe brumi; në qoftë se rrënja është e shenjtë, të shenjta janë edhe degët.

17 E në qoftë se disa degë u thyen e ti, ulli i egër, u shartove në vend të tyre e kështu u bëre pjesëtar i të mirave të rrënjës e të lëngut të ullirit,

18 mos u mburr kundrejt degëve: po nëse të shkon në mend të mburresh mos harro se nuk e mbart ti rrënjën, por rrënja ty!

19 Por, ti do të thuash patjetër:

Degët u thyen që unë të shartohem!

20 Po, mirë e ke! Ata, pse nuk besuan, u thyen, ti qëndron në saje të fesë. Mos u kreno, por druaj!

21 Sepse, në qoftë se Hyji nuk i kurseu degët natyrore, nuk do të të kursejë as ty!

22 Vëreje, pra, mirësinë dhe ashpërsinë e Hyjit! Ashpërsinë kundrejt të parëve e mirësinë e Hyjit kundrejt teje, nëse madje do të qëndrosh në këtë mirësi, përndryshe edhe ti do të pritesh.

23 Por edhe ata, nëse nuk do të qëndrojnë në mosbesim, do të shartohen; sepse Hyji ka mundësi t’i ngjesë përsëri.

24 Dhe njëmend, nëse ti, sipas natyrës ulli i egër, i prerë dhe, jashtë natyrës, u shartove në ulli të butë, sa më lehtë ata që janë të kësaj natyre do të mund të shartohen në ullirin e vet.

Kthimi i popullit të Izarelit

25 Vëllezër, ja një fshehtësi që dua t’jua njoftoj që të mos e mbani veten për të dijshëm: ngurrimi i një pjese të Izraelit zgjat derisa paganët në përgjithësi të kthehen.

26 Atëherë mbarë Izraeli do të shëlbohet siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Nga Sioni do të vijë Çliruesi,

ai do ta largojë mosbesimin prej Jakobit.

27 Dhe kjo do të jetë Besëlidhja ime me ta

kur unë të zhduk fajet e tyre.’

28 Në lidhje me Ungjillin, ata janë armiq, por për të mirën tuaj; por, si popull i zgjedhur, janë të dashur prej Hyjit për arsye të etërve,

29 sepse dhuratat dhe grishja e Hyjit nuk tërhiqen.

30 Dhe njëmend, sikurse ju dikur nuk iu bindët Hyjit, e tani, për shkak të padëgjesës së tyre, fituat mëshirën,

31 ashtu edhe ata tani, për shkak të mëshirës suaj, u bënë të padëgjueshëm, në mënyrë që edhe ata ta fitojnë mëshirën.

32 Pra, Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

33 O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij!

34 E njëmend, ‘kush e njohu mendimin e Zotit?

Kush iu bë Atij këshilltar?

35 Kush i dha Atij më parë

që të jetë detyrë t’i kthehet?’

36 Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen!



Fjala e Zotit