1 Pali,
shërbëtori i Jezu Krishtit,
i thirrur për të qenë apostull,
veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit ‑
2 të cilin Hyji e kishte premtuar që më parë me anë të profetëve të vet
në Shkrimet e Shenjta
3 mbi Birin e vet,
i cili është, për kah trupi,
pasardhës i Davidit,
4 por i dëftuar për Birin e Hyjit
me të gjitha pushtetet
me anë të Shpirtit Shenjt
pas ngjalljes prej të vdekurve,
mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë,
5 nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi
apostuj,
që, në nder të Emrit të tij,
t’i sjellim në dëgjesë të fesë të gjithë paganët,
6 ndër të cilët jeni edhe ju
të grishur prej Jezu Krishtit:
7 të gjithëve në Romë,
të dashurve të Hyjit,
të grishurve, shenjtërve:
Hir e paqe
prej Hyjit, Atit tonë,
dhe prej Jezu Krishtit Zot.
Dëshira e Palit të vizitojë Romën
8 Më së pari e falënderoj Hyjin tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju pse po përhapet në botën mbarë një zë i mirë për fenë tuaj.
9 Vërtet, dëshmitar e kam Hyjin ‑ të cilit i shërbej me gjithë shpirt duke shpallur Ungjillin e Birit të tij, se vazhdimisht ju kujtoj
10 gjithmonë duke kërkuar në lutje pandërprerë ta kem dikur fatin, sipas vullnetit të tij, të vij një ditë ndër ju.
11 Për të vërtetë kam dëshirë të madhe t’ju shoh për t’ju dhënë ndonjë dhuratë shpirtërore që të forcoheni ‑ ose më mirë ‑
12 që së bashku me ju dhe mes jush, edhe unë të nxehem në fenë që e kemi të përbashkët, tuajën e timen.
13 Vëllezër, dëshiroj ta dini se shumë herë kam dashur të vij ndër ju ‑ por deri tani qesh i penguar ‑ që të mbledh ndonjë fryt edhe ndër ju sikurse në popujt e tjerë paganë.
14 E ndiej veten të detyruar kundrejt grekëve e barbarëve, kundrejt të përparuarve e kundrejt të prapambeturve.
15 Këndej, pra, dëshira ime t’jua shpall Ungjillin edhe juve në Romë.
Fuqia e Ungjillit
16 Për të vërtetë, mua nuk më vjen turp prej Ungjillit, sepse Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun e pastaj për grekun.
17 E njëmend në të zbulohet drejtësia e Hyjit me anë të fesë e për fenë, siç është në Shkrimin e shenjtë: ‘I drejti do të jetojë prej fesë.’
Fajësia e gjinisë njerëzore
18 Hidhërimi i Hyjit, vërtet, zbulohet nga qielli kundër çdo mbrapshtie e padrejtësie të njerëzve, të cilët me padrejtësi s’e lënë të veprojë e vërteta.
19 E pra, çka mund të dihet për Hyjin, njerëzit e kanë të qartë: vetë Hyji ua ka zbuluar.
20 E në të vërtetë, përkrymeritë e tij të papashme: pushteti i tij i amshuar dhe hyjnia, atje që prej krijimit të botës, mund të shihen me anë të mendjes në saje të veprave të tij: prandaj nuk kanë se si të arsyetohen.
21 Sepse, edhe pse e njohën Hyjin, nuk ia dhanë nderimin e duhur as falënderimin ashtu si i përket Hyjit, por përkundrazi humbën në arsyetimet e veta të zbrazëta e kështu u errësua zemra e tyre e pakuptim.
22 Duke dashur ta tregojnë veten për të mendshëm, u bënë të marrë
23 dhe e ndërruan lavdinë e Hyjit të pashkatërrueshëm me idhuj ‑ piktura që paraqesin njeriun e shkatërrueshëm, shpendët, shtazët katërkëmbshe e zvarranikët.
24 Prandaj edhe Hyji lejoi të bien, sipas prirjeve të zemrës së tyre, në fëlligështi e kështu ata vetë e çnderojnë trupin e vet.
25 Ata e ndërruan Hyjin e vërtetë me idhuj: nderuan dhe u shërbyen krijesave në vend të Krijuesit, i cili është i bekuar në amshim. Amen.
26 Për këtë arsye Hyji lejoi të poshtërohen me vese çnderuese: femrat e tyre shndërruan marrëdhëniet natyrore me ato kundër natyrës;
27 po kështu edhe meshkujt ‑ duke lënë marrëdhëniet natyrore me femrën, u dogjën në prirje të ndyta njëri kundrejt tjerit: kështu ‑ meshkujt me meshkuj, bëjnë fëlligështi e në trup të vet marrin pagën e kobshme të merituar të gabimit të vet.
28 Pasi e çmuan se për ta nuk vlen të jetojnë si mëson Hyji, vetë Hyji lejoi që ta ndjekin mendjen e tyre të prishur, e kështu të bëjnë çka nuk u ka hije,
29 plot me çdo lloj padrejtësie, zemërkeqësie, lakmimi, shpirtligësie; plot smirë, vrasje, grindje, tradhti; plot qëllime të këqija; spiunë,
30 shpifës, urrejtës të Hyjit, faqezezë, krenarë, madhështorë, hartues të këqijash, të padëgjueshëm ndaj prindërve,
31 të çmendur, të pabesë, të padhimbshëm, të pamëshirshëm.
32 Edhe pse e dinë urdhëresën e Hyjit ‑ se ata që i bëjnë këto vepra ‑ meritojnë vdekjen, ata, jo vetëm që vazhdojnë t’i bëjnë veprat e tilla, por madje edhe i miratojnë me plot pëlqim ata që i bëjnë këto.