< Ps 98 Ps 100 >
Psalmet(Ps 99)
99

1

Zoti mbretëron! Le të dridhen popujt!
Rri mbi kerubinë, le të trandet toka!

2 I madh është Zoti në Sion,
i madhërueshëm mbi të gjithë popujt.

3 Le ta lavdërojnë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm,
sepse është i shenjtë.

4 Mbreti i pushtetshëm e do të drejtën:
ti ke caktuar ç’është e drejtë,
gjyq e drejtësi ti i ushtron në Jakobin.

5 Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë,
bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tija,
sepse është i shenjtë.

6 Moisiu e Aroni ndër priftërinjtë e tij,
Samueli ndër ata që e thërrasin Emrin e tij:
e thërrisnin në ndihmë dhe Zoti i dëgjonte.

7 Nga shtylla e resë fliste me ta:
i dëgjonin urdhërimet e tija
edhe Ligjet që ua kishte dhënë.

8 O Zot, Hyji ynë, ti i dëgjoje ata,
O Hyj, ti me ta ishe i durueshëm,
edhe pse i ndëshkoje fajet e tyre.

9 Madhërojeni Zotin, Hyjin tonë,
adhuroni në malin e tij të shenjtë,
sepse i shenjtë është Zoti, Hyji ynë.



Fjala e Zotit