1
Psalm.
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
5 Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,
6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
7 Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;
8 lumenjtë le të duartrokasin
e malet le të gërthasin me hare,
9 para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me maturi.