< Ps 96 Ps 98 >
Psalmet(Ps 97)
97

1

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka,
le të gëzohen ishujt e shumtë!

2 Re e errësirë janë përreth tij,
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

3 Zjarri shkon përpara tij
dhe i djeg armiqtë e tij përreth.

4 Vetëtimat e tija e shndritin botën,
sheh toka e dridhet!

5 Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet,
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

6 Qiejt e shpallin drejtësinë e tij,
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

7 I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët,
të gjithë që mburren në trupore idhujsh!
Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëjt e tij!

8 Dëgjoi Sioni e u gëzua,
galduan bijat e Judës.
për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.

9 Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun,
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

10 Urreni të keqen ju që e doni Zotin,
Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet,
i shpëton prej dorës së mëkatarit.

11 Lindi drita për të drejtin,
e gëzimi për zemërmirët.

12 Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin,
nderojeni Emrin e tij të shenjtë.



Fjala e Zotit