< Ps 95 Ps 97 >
Psalmet(Ps 96)
96

1

Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!

2 Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij,
shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!

3 Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!

4 Sepse i madh është Zoti,

tejet i denjë për t’u lavdëruar,

më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!

5 Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve,
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.

6 Para tij është shkëlqimi e lavdia,
në Shenjtëroren e tij pushteti e bukuria!

7 Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,

8 jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tija,

9 adhuroni Zotin në stoli të shenjtë!
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!

10 Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti”!
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.

11 Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!
Le të buçasë deti me ç’ka në të,

12 le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve,

13 para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen,
sepse po vjen për të gjykuar tokën!
Do ta gjykojë botën me drejtësi,
do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.



Fjala e Zotit