1
O Zot, Hyji shpagues,
dëftohu, o Hyji shpagues!
2 Çohu, Gjykatësi i dheut,
shpaguaji madhështorët!
3 Deri kur mëkatarët, o Zot,
deri kur do të galdojnë mëkatarët?
4 Do të shpotisin e do të flasin me përbuzje,
do të krenohen ata që bëjnë paudhësi?
5 E poshtërojnë popullin tënd, o Zot,
e shtypin pronën tënde,
6 vrasin vejushën e ardhacakun,
mbysin bonjakët
7 e thonë: “Zoti nuk sheh,
s’di gjë Hyji i Jakobit”!
8 Merrni vesh, o marrashat e popullit,
ju, o të marrë, kur do të zini mend?
9 Ai që krijoi veshin nuk do të dëgjojë?
Ai që përftoi syrin nuk do të shohë?
10 Ai që qorton popujt nuk do të ndëshkojë,
ai që ia mëson njeriut dijen?
11 Zoti i di mendimet e njërëzve:
ato janë të zbrazëta!
12 Lum ai njeri që ti e mëson, o Zot,
të cilit ti ia mëson Ligjin tënd,
13 për t’i dhënë paqe në ditë fatzeza
ndërkohë që keqbërësit t’i hapet gropa.
14 Sepse Zoti nuk e përbuz popullin e vet,
as s’do të heqë dorë nga prona e vet,
15 sepse e drejta do t’i jepet drejtësisë
e pas saj do të shkojnë të gjithë zemërmirët.
16 Kush do të ngrihet për mua kundër keqbërësve?
Kush do të qëndrojë bashkë me mua kundër të paudhëve?
17 Po të mos e kisha pasur në ndihmë Zotin,
përpak shpirti im do të banonte në vendin e Heshtjes!
18 Kur unë kujtoja: “Më rrëshqiti këmba!”,
dashuria jote, o Zot, ma ngjiti dorën!
19 Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë,
ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën.
20 A mund të shoqërohet me ty selia e paudhësisë
që stërhollon ligjin për të krijuar mjerim?
21 Sulen kundër jetës së të drejtit
e dënojnë gjakun e pafajshëm.
22 Por Hyji u bë kështjella ime,
Hyji është Qeta ku unë strehohem,
23 do t’i shpaguajë sipas paudhësisë së tyre,
me të keqen e tyre ai do t’i shfarosë,
farën do t’ua tresë Zoti, Hyji ynë.