1
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit,
do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
2 Do t’i thotë Zotit: “Strehimi im,
kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të”.
3 Sepse Ai do të të çlirojë nga laku i gjahtarëve
dhe nga fjala dijekeqe.
4 Do të të bëjë hije me krahët e vet
do të strehohesh nën fletët e tija,
shqyt e pancir e vërteta e tij.
5 Nuk do të frikësohesh prej tmerrit të natës,
as prej shigjete që fluturon ditën,
6 as prej murtaje që shëtit në errësirë,
as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.
7 Le të bien me mijëra rreth teje,
dhjetëra mijëra në të djathtën tënde,
ty nuk do të të ndodhë asgjë!
8 Porsa ti me sy të vetëtish,
shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
9 Pasi Zoti është mburoja jote
dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
10 e keqe nuk do të të gjejë,
dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
11 sepse engjëjve të vet urdhër u dha
të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
12 Do të të mbartin para duarsh
që padashje të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
13 Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec,
do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
14 “Do ta shpëtoj sepse më do,
do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
15 Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj,
në vështirësi do të jem me të,
do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
16 Do t’i dhuroj jetë të gjatë,
do t’ia tregoj shëlbimin tim”.