1
Lutje e Moisiut, njeriut të Hyjit.
O Zot, ti u bëre strehimi ynë
nga breznia në brezni.
2 Para se të lindnin malet,
para se të bëhej toka dhe rruzulli,
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
3 Ti e kthen njeriun në pluhur
duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”
4 Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërresa e rojës së natës!
5 Ti i zhduk në gjasim të gjumit
6 që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron,
në mbrëmje korret edhe vyshket!
7 Sepse na shkatërroi zemërimi yt,
na tmerroi furia e zemërimit tënd.
8 Para vetes i vure fajet tona,
të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.
9 Ditët na shkuan në hidhërimin tënd,
si një ofshamë mbaruan vitet tona.
10 Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet,
po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje,
kalojnë shpejt e ne prej këndej përkasim.
11 Kush ia di fuqinë zemërimit tënd,
zemërimin tënd siç e kërkon frika jote?
12 Na mëso ashtu t’i numërojmë ditët tona
që zemra jonë dijes t’ia mbërrijë.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
14 Na e trego në mëngjes mëshirën tënde
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
15 Gëzona për ditët që na mundove,
për vitet që i kaluam në mjerim.
16 Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
17 Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,
të përparojë vepra e duarve tona.