< Ps 88 Ps 90 >
Psalmet(Ps 89)
89

1 Poemë. E Etan Ezrahitit.

2 Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,

brez pas brezi goja ime

do të shpallë besnikërinë tënde.

3 Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”,

në qiell është e themeluar besnikëria jote!

4 “Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim,

i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:

5 Farën tënde do ta ruaj për amshim,

froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.”

6 Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot,

kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!

7 E kush ndër re është i barabartë me Zotin?

Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?

8 I tmerrshëm është Hyji në kuvendin e shenjtërve,

i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë

ata që i rrinë përreth.

9 O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti?

I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!

10 Ti zotëron krenarinë e detit,

ua ul kokën valëve të tërbuara.

11 Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove,

me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.

12 Yti është qielli, jotja është toka,

ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.

13 Veriun e jugun ti i krijove,

Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.

14 Krahu yt është plot fuqi,

e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!

15 Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd,

dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.

16 Lum ai popull që di të brohoritë,

që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

17 Përherë do të gëzojë në Emërin tënd,

e do të mburret në drejtësinë tënde.

18 Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre

e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

19 Sepse i Zotit është shqyti ynë,

mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!

20 Dikur, në një vëgim, fole me miqtë e tu

e u the:

“Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time,

e lartësova një djalosh nga populli.

21 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim,

e leva me vajin tim të shenjtë.

22 Dora ime gjithmonë do të jetë me të,

dhe krahu im përherë do ta kërthndezë.

23 Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të,

i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.

24 Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij,

do t’i shfarosë kundërshtarët e tij.

25 Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të,

në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.

26 Dorën e tij do ta shtrij mbi det,

të djathtën e tij përmbi lumenj.

27 Ai do të më thërrasë: ‘Ati im,

Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,

28 kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim,

më të madhin ndër mbretërit e tokës.

29 Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën,

Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.

30 Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme,

fronin e tij porsi ditët e qiellit.

31 Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim,

e në mos ecshin ligjeve të mia,

32 po nuk zbatuan vendimet e mia,

po i shkelën urdhërimet e mia,

33 me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre,

me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.

34 Por nuk do ta këpus dashurinë me të

as nuk do ta prish besnikërinë time.

35 Nuk do ta thyej besëlidhjen time

as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.

36 Një herë u përbetova me shenjtërinë time:

‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në gënjeshtër!’

37 Fara e tij do të qëndrojë për amshim,

froni i tij para meje si dielli,

38 do të qëndrojë për amshim si hëna,

dëshmitare besnike mbi re”.

39 Por tani e flake dhe e përbuze,

u zemërove kundër të shuguruarit tënd.

40 E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd,

në llum e hodhe kezën e tij.

41 I rrënove të gjitha muret e tija,

rrënoja të frikshme kështjellat e tija.

42 Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë,

për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.

43 E lartësove të djathtën e armiqve të tij,

i gëzove të gjithë armiqtë e tij.

44 Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij,

e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.

45 I dhe fund shkëlqimit të tij,

e përdhe fronin ia rrëzove.

46 Ia shkurtove ditët e rinisë,

e mbulove me poshtërim e turp.

47 Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu,

flakë do të ndizet hidhërimi yt?

48 Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime!

Vallë, thua kot i krijove njerëzit?

49 Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë,

prej Nëntokës kush do ta shpëtojë jetën?

50 Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat

që me be ia premtove Davidit?

51 Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin;

në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,

52 që na bënë armiqtë e tu, o Zot,

çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.

53 Qoftë bekuar Zoti për amshim. Amen! Amen!



Fjala e Zotit