1
Këngë. Psalm. I bijve të Koreut. Mjeshtrit të korit.
Me melodi: “Sëmundja”. Këngë mësimi. E Eman Ezrahitit.
2 O Zot, Hyji i shpëtimit tim,
ditë e natë jap kushtrim para teje.
3 Le të mbërrijë te ti lutja ime,
vëru vesh dënesave të mia.
4 Sepse shpirti im është plot me vuajtje,
jeta ime është në grykën e varrit;
5 po më mbajnë me ata që zbresin në gropë,
jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:
6 i lirë si ata që vdiqën,
porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton,
që janë shkëputur nga dora jote.
7 Më plandose në shpellë pa fund,
në errësirë e në hijen e vdekjes.
8 Zemërimi yt rëndon mbi mua,
valët e tua i hodhe mbi mua.
9 Prej meje i largove të njohurit e mi,
për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal,
10 prej mjerimit sytë e mi po shteren.
Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot,
duart e mia drejt teje i shtrij.
11 Vallë për të vdekur bën ti mrekulli?
A thua hijet ngrihen për të lëvduar?
12 Flet ndokush për mirësinë tënde në varr,
për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
13 Në errësirë njihen mrekullitë e tua,
në vend të harresës drejtësia jote?
14 E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë,
lutja ime në mëngjes mbërrin para teje.
15 Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim?
Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?
16 I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime,
më këputi barra e tmerrimeve të tua.
17 Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua,
përdhe më shtruan provat e tua!
18 Më kanë rrethuar pa pushim si uji,
grumbullohen mbi mua njëheresh.
19 M’i largove miq e të afërm,
bëj shoqëri veç me errësirën.