1
Mjeshtrit të korit. I bijve të Koreut. Psalm.
2 Përsëri e pëlqeve, o Zot, tokën tënde,
i riatdhesove të humburit e Jakobit.
3 Ia fale fajet popullit tënd,
i mbulove të gjitha mëkatet e tyre.
4 I vure cak zemërumit tënd të madh,
zure vend nga shfrimi i zemërimit tënd.
5 Na përtërij, o Hyj, Shëlbuesi ynë,
largoje zemërimin tënd prej nesh.
6 A thua gjithmonë do të jesh i hidhëruar me ne
e do ta shtrish hidhërimin tënd nga breznia në brezni?
7 Pse a s’do të kthehesh për të na përtërirë në jetë
që populli yt të gëzohet në ty?
8 Na e trego, o Zot, mëshirën tënde
e na jep shëlbimin tënd!
9 Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.
10 Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
11 Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
12 E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
13 Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
14 Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.