< Ps 82 Ps 84 >
Psalmet(Ps 83)
83

1

Këngë. Psalm. I Asafit.

2 O Hyj, mos rri në qetësi, mos hesht,
as mos u përmbaj, o Perëndi!

3 Sepse, ja, armiqtë e tu po zhurmiten,
dhe ata që të urrejnë, po çojnë kokë!

4 Trillojnë plane të këqija kundër popullit tënd,
këshillohen kundër të mbrojturve prej teje.

5 Thonë: “Ejani t’ua tresim farën,
të mos jenë më popull,
të mos përmendet më emri i Izraelit”!

6 Vërtet janë bërë një mendje e vetme,
kundër teje kanë bërë besëlidhje:

7 tendat e idumeasve e ismaelitët,
moabitët e agarenët,

8 Gebali, Amoni e Amaleku,
Filisteja me banorët e Tirit,

9 Po ashtu edhe Asuri u bashkua me ta,
u bënë ndihmëtarë të bijve të Lotit.

10 Bëjua dhe atyre si Madianit e Sisarës,
porsi Jabinit në përroin e Cisonit,

11 që u rrahuan vdekur në Endor,
me kufoma e plehëruan tokën.

12 Bëjua princave të tyre si Orebit e Zebit,
si Zebeesë e Salmanasë, krerëve të tyre

13 që thanë:
“T’i pushtojmë kullotat e Hyjit”!

14 Hyji im, flaki ata në shakullinë,
porsi bykun kur fryn stuhia!

15 Porsi zjarri që e përpin pyllin,
porsi flaka që i djeg bjeshkët.

16 Po ashtu dëboji ata me furinë tënde,
tmerroji ti me thëllimin tënd!

17 Mbuloju fytyrën me turp
që ta kërkojnë Emrin tënd, o Zot.

18 Le të skuqen e le të turpërohen përgjithmonë,
le t’i mbulojë turpi e le të sharrojnë,

19 që ta dinë se emri yt është Zot:
se je i Larti Perëndi mbi botën mbarë.



Fjala e Zotit