1
Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Shtrydhësit…” I Asafit.
2 Duartrokitni Hyjit, ndihmëtarit tonë,
brohoritni Hyjit të Jakobit!
3 Le të tingëllojë cetra, të ushtojë tupani,
harpa e këndshme e cetra të jehojnë!
4 Le të ushtojë boria e hënës së re,
në hënën e plotë, ditën e të kremtës sonë!
5 Sepse kjo është ligj për Izraelin,
urdhëresë e dhënë prej Hyjit të Jakobit,
6 urdhër që iu dha Jozefit,
kur doli prej tokës së Egjiptit.
Dëgjova një zë që s’e njihja:
7 “Nga barra krahët ia çlirova,
nga duart ia hoqa shportën.
8 Në ditë të vështirë më thirre e unë të shpëtova,
të jam përgjigjur i fshehur në stuhi,
të vura në provë tek uji i Meribës.
9 Dëgjo, populli im, dua të të qortoj:
oh sikur të më dëgjoje, ti, o Izrael!
10 Pranë teje tjetër zot të mos kesh,
zot të huaj mos adhuro!
11 Sepse unë Zoti jam Hyji yt,
unë që të nxora nga dheu i Egjiptit,
hape gojën tënde se dua ta mbush!
12 Por populli im s’e dëgjoi zërin tim,
Izraeli nuk qe në kujdes për mua.
13 Prandaj i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre,
le të jetojnë si u pëlqen atyre.
14 Po, sikur të më dëgjonte mua populli im,
sikur të ecte Izraeli udhëve të mia,
15 po, atëherë shpejt do t’i përulja armiqtë e tij,
do ta rëndoja dorën mbi kundërshtarët e tij.
16 Armiqtë e Zotit do ta përkëdhelnin atë,
fati i tyre do të ishte i vulosur për amshim.
17 Unë do t’i ushqeja me më të mirin grurë,
do t’i ngija me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi”.