1
Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Lili i urdhrit”. I Asafit. Psalm.
2 Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit,
ti që i prin Jozefit si grigjës,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe
3 para Efraimit, Beniaminit e Manseut:
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë
për të na shpëtuar!
4 O Hyj, deh, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
5 O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh
në lutjen e popullit tënd?
6 Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh,
e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë?
7 Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë
e armiqtë tanë po qeshen me ne.
8 O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
9 Vreshtin nga Egjipti e nxore
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.
10 Tokën ia përgatite,
lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën.
11 U mbuluan malet me hijen e tij,
me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit,
12 pinjollët e tij arritën deri në det,
shermendet i hodhi deri në Lumë.
13 Gardhin pse ia theve
që ta vjelë çdo kalimtar?
14 E dëmtoi derri i egër,
e kulloti çdo egërsirë.
15 Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vreshtë
16 dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
17 Ata që e dogjën dhe e prenë
le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate.
18 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtës sate,
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
19 Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
20 O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!