1 Psalm. I Asafit.
O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde,
e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë,
Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash!
2 Ua dhanë kufomat e shërbëtorëve të tu
për ushqim shpendëve të qiellit,
mishin e shenjtërve të tu bishave të malit.
3 Gjakun e tyre e derdhën si ujë
përreth Jerusalemit e s’kishte kush t’i varroste!
4 U bëmë çnderim ndër sy të fqinjëve tanë,
përqeshje e lojë për ata që i kemi përreth.
5 Po deri kur, o Zot? A do të rrish përgjithmonë i hidhëruar?
Do të digjet si zjarri zemërimi yt?
6 Shfreje hidhërimin tënd mbi paganët që nuk të njohin,
mbi mbretëri, që nuk të thërrasin në ndihmë
7 se e përlanë Jakobin
dhe e shkatërruan selinë e tij!
8 Mos i kujto fajet e etërve tanë,
le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote,
sepse jemi bërë tepër të mjerë.
9 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë,
për nder të Emrit tënd e na çliro:
pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!
10 Pse të thonë paganët: “Ku është Hyji i tyre”?
Le ta pranojnë ndër sy tanë paganët
hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të t’u.
11 Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve,
me fuqinë e krahut tënd
shpëtoji të dënuarit me vdekje.
12 Mbi zemrën e fqinjëve tanë ktheje shtatëfish
dhunën që ta bënë ty, o Zot.
13 E ne, populli yt – delet e kullotës sate,
do të të lavdërojmë për amshim,
do ta shpallim nga brezi në brez
lavdinë tënde.