< Ps 77 Ps 79 >
Psalmet(Ps 78)
78

1

Poemë. E Asafit.
Dëgjoje me kujdes, populli im, mësimin tim,
vëru vesh fjalëve të gojës sime.

2 Po e hap gojën time për të mësuar me shëmbëlltyra,
do t’ju tregoj fshehtësi të kohëve të shkuara.

3 Ato që dëgjuam e mësuam,
çka na treguan etërit tanë,

4 nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,
do t’i kalojmë gojë më gojë në breznitë e ardhshme
lavditë e Zotit e mrekullitë e tija,
veprat e bindshme që ai bëri.

5 Ai e ngriti Dëshminë në Jakobin,
dhe e vuri Ligjin në Izrael,
që çfarë u urdhëroi etërve tanë
ato t’ua shpallin fëmijëve të vet,

6 që breznia e ardhshme t’i ketë të njohura,
që fëmijët që të lindin
t’ua tregojnë fëmijëve të vet:

7 që ta mbështetin shpresën e vet në Hyjin,
të mos i harrojnë veprat e Hyjit
e t’i mbajnë urdhërimet e tija.

8 E të mos bëhen si etërit e tyre

brezni kryengritëse dhe e padëgjueshme,
brezni e paqëndrueshme në zemër
e me shpirt të pabesë ndaj Hyjit.

9 Bijtë e Efraimit, luftëtarë me hark,
ditën e përleshjes kthyen shpinën e ikën.

10 Nuk e mbrojtën Besëlidhjen e Hyjit,
e nuk deshën të ecin udhëve të tija.

11 I harruan veprat e tija,
mrekullitë e tija që ua dëftoi.

12 Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli,
në tokën e Egjiptit, në fushën Taneos.

13 E ndau detin dhe ata i kaloi,
i ndali ujërat si të ishin në rrëshiq.

14 Ditën u printe me re,
e gjithë natën me zjarr ndriçues.

15 Në shkretëtirë qetën e plasi
dhe u dha të pinë si nga humnera e pafund:

16 nga shkëmbi nxori përrenj,
bëri të rrjedhë uji si lumë.

17 Por ata gjithnjë vazhduan të mëkatojnë kundër tij,
i kundërshtuan të Tejetlartit në shkretëtirë,

18 Hyjin e tunduan në zemrat e veta
duke kërkuar ushqim për grykësinë e vet.

19 Nynykatën kundër Hyjit e thanë:
“A është i zoti Hyji të shtrojë tryezë në shkretëtirë?”

20 “Ja, shkëmbit i ra e rrodhi ujë,
gurgulluan përrenjtë!
A mund të japë edhe bukë e mish
për popullin e vet?”

21 Dëgjoi Zoti dhe u zemërua,
zjarr u ndez kundër Jakobit,
flakë u ndez hidhërimi kundër Izraelit,

22 sepse nuk besonin në Hyjin,
nuk shpresonin në shpëtimin e tij.

23 Kështu u urdhëroi reve prej së larti,
i hapi pendët e qiellit,

24 porsi shi e lëshoi manën për ushqim,
u dha bukë nga qielli:

25 njeriu hëngri bukë engjëjsh,
u dha ushqim me mbushulli.

26 Pastaj në qiell e zgjoi erën e lindjes,
me pushtet të vet bëri të fryjë shiroku,

27 bëri të bjerë mbi ta mish thuajse pluhur,
shpend me pupla porsi rëra e detit:

28 ranë mes tëbanishtes së tyre,
përreth çadrave të tyre.

29 Hëngrën dhe u ngopën,
ua plotësoi dëshirën.

30 Ende plotësisht nuk ishin ngirë,
ende ushqimin e kishin në gojë,

31 kur ja, zemërimi i Hyjit u ndez kundër tyre,
i kositi me vdekje më të fortët e tyre,
i vrau të zgjedhurit e Izraelit.

32 Megjithatë – vazhduan të mëkatojnë
dhe nuk besuan në veprat e mrekullueshme të tijat.

33 Ditët e tyre i zhduku si avullin,
vitet e tyre kaluan me ngutësi.

34 Kur i vriste, atëherë e kërkonin
e përsëri ktheheshin tek Hyji;

35 u binte në mend se Hyji është strehimi i tyre,
Hyji i tejetlartë Shëlbuesi i tyre.

36 Porse prapë e gënjenin me gojën e tyre,
e rrenin me gjuhën e vet:

37 zemra e tyre nuk ishte me të,
besë nuk kishin në Besëlidhjen e tij.

38 E Ai, i mëshirshëm, e falte fajin,
në vend që të shkatërronte,
shpeshherë e ndalte zemërimin e vet
e nuk ndizej në furinë e vet.

39

I binte në mend se janë njerëz të ligshtë
avull që shkon e nuk kthehet.

40 Sa herë e hidhëruan në shkretëtirë,
sa herë e zemëruan në vise të pabanuara!

41 Prapë e prapë e ngacmonin Hyjin,
e trishtonin Shenjtin e Izraelit

42 duke mos e kujtuar dorën e tij të pushtetshme,
ditën kur i shpëtoi nga armiku,

43 as mrekullitë që i bëri në Egjipt,
as veprat e mrekullueshme që i bëri në fushën Taneos.

44 Kur lumenjtë i shndërroi në gjak
dhe përrenjtë e tyre që të mos mund të piheshin.

45 Dërgoi mbi ta gretha që t’i thernin
dhe bretkosa që t’i sosnin.

46 Të korrat e tyre ua dha karkalecave,
vemjeve mundin e tyre.

47 Me breshër ua rrënoi vreshtat,
e me brymë manat e tyre.

48 Me breshër ua shfarosi bagëtinë,
me rrufe ua vrau grigjat.

49 Lëshoi mbi ta zjarrin e zemërimit të vet,
hidhërimin, urrejtjen dhe vuajtjet,
dërgesë engjëjsh që u sollën të keqen.

50 I rrafshoi udhën zemërimit të vet,
nuk ua kurseu jetën prej vdekjes,
jetën e tyre në dorë ia lëshoi kolerës.

51 I vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit,
frytin e parë të fuqisë së tyre në çadrat e Kamit.

52 Porsi dele prej andej e nxori popullin e vet,
i priu porsi grigjës nëpër shkretëtirë.

53 U printe me kujdes pa farë frike,
kurse armiqtë e tyre deti i kapërdiu.

54 I çoi në Tokën e vet të shenjtë,
në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.

55 Para tyre i dëboi paganët,
tokën e tyre me litar ua ndau për pronë,
në çadrat e tyre i vendosi fiset e Izraelit.

56 E ata prapë e ngacmuan dhe e hidhëruan Hyjin e tejetlartë,
nuk ia mbajtën urdhërimet e tija.

57 u shmangën, nuk i mbajtën besën si etërit e tyre,
u kthyen mbrapsht porsi harku i prishur.

58 E hidhëruan me lartësirat e tyre,
dhe e ngacmuan me gdhendjen e idhujve.

59 Dëgjoi Hyji dhe u ndez në hidhërim,
për së tepërmi iu ndy Izraeli.

60 E lëshoi banesën Silo,
tendën ku banonte në mes të njerëzve.

61 Fuqinë e vet e la të bjerë në robëri,
nderin e vet në duar të armiqve.

62 Popullin e vet ia dorëzoi shpatës,
kundër pronës së vet u ndez tërë hidhërim.

63 Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri,
vajzat e tyre s’patën me kë të martoheshin.

64 Ranë prej shpatës priftërinjtë e tyre,
e vejushat e tyre nuk i vajtuan!

65 E u ngrit, si kush zgjohet nga gjumi, Zoti,
si luftëtari kur kllapia e verës e lëshon,

66 e t’u ra pas shpine armiqve,
i mposhti një herë e përgjithmonë.

67 E përjashtoi tendën e Jozefit,
nuk e zgjodhi fisin e Efraimit.

68 por zgjodhi fisin e Judës,
malin e Sionit që e ka për zemër.

69 Të lartë si qiellin e ndërtoi Shënjtëroren,
porsi tokën e themeloi për amshim.

70 Zgjodhi Davidin, shërbëtorin e vet,
e hoqi nga grigjat e deleve,

71 prej pas delesh nëna atë e mori
të kullotë Jakobin, popullin e vet,
Izraelin, trashëgimin e vet!

72 Ky i udhëhoqi me zemër të përsosur
dhe u priu me dorën e vet të vyer.



Fjala e Zotit