1
Mjeshtrit të korit. Sipas Iditunit. I Asafit. Psalm.
2 Drejt Zotit e ngrita zërin tim,
drejt Hyjit e çova zërin: Ai më dëgjon.
3 Në ditët e vështira unë e kërkoja Hyjin,
natën drejt tij i lartësoj duart e mia e nuk lodhem,
por shpirti im nuk gjen ngushëllim,
4 më bie në mend Hyji dhe ofshaj,
e kujtoj e më pakësohet fryma.
5 Hapur m’i mban qepallat e syve të mi,
i tronditur jam e nuk mund të flas.
6 Mendoj ditët e kaluara,
më bien në mend vitet e lashta.
7 Mendoj natën në zemrën time,
përsiat dhe shpirti im shqyrton:
8 Vallë, për amshim Hyji ka hequr dorë,
dhe kurrë, thua, më s’do të ketë mëshirë?
9 A thua përgjithmonë u zhduk mëshira e tij,
premtimi i tij mbaroi, vallë, përgjithmonë?
10 Ndoshta harroi Hyji të ketë dhembje,
i zemëruar thua kufi i vuri mëshirës së vet?
11 Dhe thashë: “Ja, plaga ime:
është shndërruar e djathta e Tejetlartit”.
12 Në mend me bien veprat e Zotit,
i kujtoj mrekullitë e tua që prej fillimit.
13 Me mend i përbluaj të gjitha veprat e tua,
meditoj mbi veprat e tua të larta.
14 O Hyj, të shenjta janë udhët e tua,
cili hyj është i madh si Hyji ynë?
15 Vetëm ti je Hyji që bën mrekulli,
mbi popujt ti e tregove fuqinë tënde.
16 Me të dhjathtën tënde ti e shpërbleve popullin tënd,
bijtë e Jakobit e të Jozefit.
17 Të panë ujërat, o Hyj,
të panë ujërat e u zmbrapsën,
u trazuan deri edhe humnerat!
18 Riguan retë ujëra,
dhanë retë gjëmët e veta
shigjetat e tua fluturuan!
19 Bubullima jote jehoi në stuhi,
vetëtimat shndritën rruzullin e tokës,
u tund toka dhe u trondit!
20 Nëpër det udha jote, shtigjet e tua nëpër ujëra të mëdha,
gjurmët e tua askush nuk i njeh.
21 Porsi grigjës i prive popullit tënd,
me dorë të Moisiut e të Aronit.