1
Mjeshtrit të korit. Me vegla muzikore me korda. Psalm. I Asafit. Këngë.
2 I njohur është Hyji në Jude,
i madh është Emri i tij në Izrael.
3 Në Salem është tenda e tij,
vendbanimi i tij në Sion.
4 Atje ai i theu shigjetat e harkut,
shqytin, shpatën e luftën.
5 Shkëlqen, o i Madhërishëm,
mbi malet e presë!
6 Qenë rrëmbyer të fortët,
gjumi i kapi,
asnjë trim s’diti t’i përdorë duart e veta
7 nga kërcënimi yt, Hyji i Jakobit,
shtang mbetën qerre e kalë!
8 Ti je i tmerrshëm e kush mund të të bëjë ballë?
Atëherë kur shfrenohet zemërimi yt!
9 Nga qielli e jep vendimin gjykues;
Toka u trondit dhe heshti,
10 kur të ngrihet Hyji në gjyq
për t’i shpëtuar të përvuajturit e dheut.
11 Të goditurit nga zemërimi yt të lavdërojnë,
të shpëtuarit nga zemërimi do të të bëjnë festë.
12 Bëni kushte dhe plotësojani Zotit, Hyjit tuaj,
të gjithë ju përreth tij jepni dhurata të Tmerrshmit,
13 Atij që ua merr frymën princave,
që është tmerr për mbretërit e tokës.