1
Poemë. E Asafit.
Përse, o Hyj, të na përbuzësh deri në mbarim,
të ndizet flakë zemërimi yt kundër deleve të kullotës satë?
2 Të të bjerë në mend bashkësia jote që e fitove që në fillim,
fisi që e bëre pronë për vete
dhe mali Sion ku e vendose banesën tënde.
3 Drejtoji hapat e tu nga rrënoja e përhershme,
gjë s’la pa shkretuar armiku në Shenjtërore!
4 Armiqtë e tu ulërijnë mes kuvendit tënd,
i vunë shenjat e veta për shenja!
5 Na u dukën si ata që në pyll të dendur sjellin sakicë,
6 me sakica e sëpata i dërmuan dyert e tija.
7 Me zjarr e dogjën Shenjtëroren tënde,
të rrafshuar përdhe e dhunuan banesën e Emrit tënd.
8 Thanë në zemrën e vet: “T’i shfarosim të gjithë së bashku”!
I dogjën të gjitha vendet e shenjta në vend!
9 Nuk i shohim me shenjat tona,
profet më nuk ka,
dhe askush ndër ne s’di se deri kur kështu…
10 Deri kur, o Hyj, do të të poshtërojë armiku,
përgjithmonë do ta përbuzë armiku Emrin tënd?
11 Përse e rrudh ti dorën tënde,
të djathtën tënde pse po e mban në ije?
12 E pra Hyji është mbreti ynë që nga fillimi,
ai që çliron mbi tokë:
13 Ti me fuqinë tënde detin e ndave,
u copëtove kokën përbindëshave të ujit.
14 Ia shtype kokën Leviatanit,
ua dhe për ushqim përbindëshave të detit!
15 Ti bëre të rrjedhë burim e përrua,
ti thave lumenjtë e pashtershëm.
16 Jotja është dita, jotja është nata,
ti i krijove yjet edhe Diellin.
17 Ti i caktove kufijtë e Tokës,
ti i përftove verën edhe dimrin.
18 Mos e harro këtë:
armiku e vuri në lojë Zotin,
një popull i marrë përbuzi Emrin tënd.
19 Mos ua jep bishave jetën e atyre që të lavdërojnë,
mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu!
20 Shiko me mirësi mbi Besëlidhjen tënde,
sepse shpellat e vendit u bënë banesa dhune.
21 Mos lejo që i mjeri të kthehet i turpëruar:
i vobekti dhe skamnori le ta lëvdojë Emrin tënd!
22 Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde,
mos i harro poshtërimet
që i marri t’i bën gjithë ditën.
23 Mos e harro britmën e armiqve të tu:
rropama e kundërshtarëve gjithnjë ngrihet tek ti.