1
Psalmi. I Asafit.
Sa i mirë është Hyji për njerëzit e drejtë,
Zoti ynë për ata që janë të pastër në zemër.
2 E mua veçse nuk më rrëshqitën këmbët,
përpak sa nuk më lëshuan këmbët,
3 sepse ua pata lakmi krenarëve
duke parë mirëqenien e keqbërësve.
4 Sepse për ta vuajtje nuk ka,
shëndoshë e plot dhjamë është trupi i tyre.
5 Nuk jetojnë në vuajtjert të vdekshmëve,
nuk i rreh frushkulli i vështirësive të njerëzve.
6 Prandaj edhe gjerdan për qafë e kanë madhështinë
e dhunën për petk që i mbulon.
7 Nga zemra e majme u kullon e keqja,
dhelpëritë u shpërthejnë nga zemra.
8 Përqeshin e dijekeqas flasin,
me dhunë kërcënohen krenarisht prej së larti.
9 Vënë gojë edhe kundër qiellit,
gjuha e tyre e përshkon dheun.
10 Prandaj lart e vendosin veten
dhe ujërat e shumta nuk arrijnë tek ata.
11 Kështu edhe thonë: “Si mund ta dijë Hyji?
A mund të dijë gjë i Tejetlarti”?
12 Ja, këta janë mëkatarët:
gjithmonë të qetë e grumbullojnë pasuri.
13 Atëherë thashë: “Vallë kot e paskësh ruajtur të pastër zemrën time
dhe në pafajësi i lava duart e mia,
14 kot e frushkullova veten përditë
duke bërë pendesë që heret në mëngjes”!
15 Të kisha thënë: “Do të flas porsi ata”,
unë do ta tradhtoja fisin e bijve të tu.
16 U mundova ta kuptoja këtë gjë:
porse disi mjerisht sytë m’u morën.
17 Derisa disi hyra në shënjtëroren e Hyjit:
atëherë pashë mbarimin e tyre.
18 Vërtet i vë në vend rrëshqitës,
i lejon të shkojnë në rrënim.
19 Oh, sa me vrap mbaruan,
u zhdukën, mjerimi i përpiu!
20 Po, sikurse ëndrra e atij që zgjohet, o Zot,
kur të zgjohesh e bën asgjë fytyrën e tyre.
21 Kur shpirtin e kisha të trazuar,
mundohesha në brendinë e zemrës sime,
22 isha i marrë e nuk kuptoja,
isha bërë si bagëti para teje.
23 Por unë që tani gjithmonë do të jem me ty,
sepse më more për dorën time të djathtë.
24 Ti do të më prish me këshillën tënde
për të më marrë pastaj me lumturi.
25 Kë tjetër veç teje kam unë në qiell?
Edhe në tokë s’dua tjetërkënd veç teje!
26 Ligështuar më janë trupi dhe zemra:
ti je Hyji i zemrës sime, pjesa ime, Hyji i amshueshëm.
27 Po se do të sharrojnë të gjithë ata që largohen prej teje,
ti zhduk të gjithë ata që të tradhtojnë.
28 Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit,
ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim,
që t’i shpall të gjitha veprat e tua
në dyert e Qytetit Sion.