< Ps 71 Ps 73 >
Psalmet(Ps 72)
72

1

I Salomonit.
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

2 që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

3 Malet le t’i sjellin paqen popullit
e kodrat drejtësinë.

4 Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit,
do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit
do ta përulë shpifësin.

5 Ai do të jetojë sa dielli e hëna,
nga breznia në brezni.

6 Do të zbresë porsi vesa mbi bar,
porsi shiu që e lag tokën.

7 Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia
dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.

8 Do të sundojë prej detit në det,
prej Lumit e deri në skajin e botës.

9 Para tij do të bien përmbys banorët e shkretëtirës,
kundërshtarët e tij do të lëpijnë dheun.

10 Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve
dhurata do të sjellin,
mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,

11 të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien
e popujt mbarë do t’i shërbejnë.

12 Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,
të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

13 Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

14 Do t’i shpëtojë prej padrejtësisë e dhunës,
gjaku i tyre do të jetë i çmueshëm përpara tij.

15 Do të jetojë e do t’i jepet prej arit të Arabisë,
gjithmonë do të luten për të,
gjithë ditën do ta bekojnë.

16 Toka do të japë drithëra me shumicë,
në maja të maleve do të valëviten kallëzat,
porsi Libani frytet e tokës,
do të lulëzojnë porsi bari i tokës
banorët e qytetit.

17 Qoftë bekuar emri i tij në shekuj,
sa të jetë dielli mos iu harroftë emri!
Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut,
të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.

18 Qoftë bekuar Zoti Hyj, Hyji i Izraelit,
që i vetmi bën mrekulli!

19 Qoftë bekuar Emri i tij i madhërueshëm,
toka mbarë u mbushtë me lavdinë e tij.
Amen! Amen!



Fjala e Zotit