1 Në ndore tënde, o Zot,
askurrë mos u turpërofsha.
2 Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde,
prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!
3 Ji për mua shkëmb mbrojtjeje,
kullë e pamposhtur për të më shpëtuar,
sepse ti je kështjella ime e strehimi im.
4 Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit,
prej dorës së derhuzdit e të dinakut.
5 Sepse ti, o Zot, je shpresa ime,
shpresa ime, o Zot, që prejrinisë sime.
6 Në ty jam mbështetur që prejkraharorit të nënës,
që prejprehrit të nënës ti je mbrojtësi im,
mburrja ime është gjithmonë në ty.
7 Për shumë njerëz u bëra çështje habie:
ti ishe mbrojtësi im i fuqishëm.
8 Goja ime të lavdëron pa pushim,
gjithë ditën të madhëron.
9 Mos më lësho dore në pleqëri,
kur të më lënë fuqitë, mos hiq dorë prej meje.
10 Sepse thonë armiqtë e mi për mua,
e ata që më vërejnë zunë njëzëri të këshillohen:
11 “Hyji hoqi dorë prej tij, salvojeni,
bini në të se s’ka kush i del zot”.
12 O Hyj, mos më rri larg,
Hyji im, shpejto të më ndihmosh.
13 Le të turpërohen e le të shuhen kundërshtarët e shpirtit tim,
le të mbulohen me marrëzi e me turp
ata që ma dëshirojnë të keqen.
14 E unë gjithmonë do të shpresoj në ty
e unë do t’i shumoj gjithnjë lavdet e tua.
15 Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde,
gjithë ditën shpëtimin tënd:
që s’di të ketë masë në madhëri.
16 Do ta shpall pushtetin e Zotit,
o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde.
17 Ti më ke mësuar, o Hyj, që prejrinisë sime
dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.
18 E tani në pleqëri ngarkuar me vjet,
o Hyj, mos hiq dorë prej meje,
derisa t’ia shpall pushtetin tënd
mbarë breznisë që do të vijë.
19 Pushteti yt e drejtësia jote, o Hyj,
arrijnë deri në qiell, sepse bëre punë të mrekullueshme!
O Hyj, e kush është i ngjashëm me ty?!
20 Sepse ti më çove prova shumë të mëdha,
por përsëri më kërthndeze në jetë
e përsëri më ktheve nga thellësia e tokës.
21 Rrite madhërinë time,
sillu prej meje e më ngushëllo.
22 Kështu edhe vetë do të të lavdëroj,
me harpë do të këndoj, o Hyj, të vërtetën tënde,
me cetër do të të këndoj ty, o Shenjti i Izraelit!
23 Do të galdojnë buzët e mia duke të kënduar ty,
edhe shpirti im që e ke shëlbuar.
24 Gjuha ime gjithë ditën do të flasë për drejtësinë tënde,
le të turpërohen e të marrosen
ata që kërkojnë të keqen për mua.